
Një deputet ukrainas dhe zyrtarë tjerë janë arrestuar pasi agjencitë shtetërore kundër korrupsionit kanë zbuluar atë që e kanë quajtur skemë të gjerë ryshfeti gjatë blerjes së dronëve dhe sistemeve tjera elektronike për luftë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë përmes një postimi në X se një deputet ukrainas, krerë distriktesh dhe administratash civile dhe disa pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë përfshirë në rastin që ka të bëjë me kontratat shtetërore me furnizuesit, të cilat dyshohet se janë nënshkruar me çmim 30 për qind më të lartë.
Zelensky ka shkruar se do të ketë “zero tolerancë” për korrupsion në Ukrainë, dhe i ka falënderuar agjencitë për punën e tyre.
Pavarësia e agjencive ukrainase kundër korrupsionit është rikthyer të enjten, pas protestave mbarëkombëtare.
Qeveria e Zelenskyt është përballur me kritika të ashpra pas prezantimit të një projektligji që do t’ua hiqte pavarësinë Byrosë Kombëtare kundër korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për çështje kundër korrupsionit.
Presidenti pati thënë se agjencitë duhet të pastrohen fillimisht nga ndikimi rus dhe ka tentuar t’i japë autoritet prokurorit të përgjithshëm për të vendosur se kush duhet gjykuar në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Ky hap është parë si kthim mbrapa në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë, duke rezultuar me protestat më të mëdha kundër Qeverisë, prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë më 2022.
Duke parë zemërimin e publikut, Zelensky e ka propozuar një projektligj të ri për të rikthyer pavarësinë e këtyre dy trupave, dhe ai më pas është votuar në parlament.
Autoritetet kanë thënë më vonë se Zelensky e ka dëgjuar “thirrjen e publikut”.
Ky hap është përshëndetur nga aleatët evropianë, të cilët patën shprehur shqetësime për propozimin fillestar. /rel
Top Channel