Trump u provokua nga Putin, La Repubblica: Presidenti rus tha se do vendoste raketat “Oreshnik” në Bjellorusi

03/08/2025 20:26

Tensionet mes SHBA-ve dhe Rusisë konsiderohen në pikën më të lartë.

Kështu shkruan gazeta italiane La Repubblica e cila i referohet deklaratës së fundit të presidentit amerikan Donald Trump që urdhëroi dislokimin e dy nëndetëseve bërthamore “pranë Rusisë” si përgjigje ndaj deklaratave të ish-presidentit rus Medvedev.

Sipas La Repubblica më shumë se një paralajmërim për Medvedev, lëvizja e Trump ishte një paralajmërim për Putin.

Presidenti rus, gjatë një vizite në Kareli bashkë me presidentin bjellorus Lukashenko, kishte njoftuar se “deri në fund të vitit” do të vendoste në Bjellorusi raketat e reja me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, të afta për t’u pajisur me koka bërthamore dhe të paaksesueshme deri më sot nga sistemet mbrojtëse,  një paralajmërim për shtetet evropiane “të gatshme” që mbështesin dhe furnizojnë me armë Kievin.

Bashkë me ashpërsimin e retorikave, thotë La Republica, Trump nuk i ka lënë mënjanë as përpjekjet diplomatike. Gjatë javës që vjen, presidenti amerikan pritet të çojë në Moskë të dërguarin e tij për negociata, Witkoff.

Putin ka afat deri të premten për të bërë hapa domethënës drejt përfundimit të luftës në Ukrianë, pasi atëherë përfundon afati i ultimatumit të Trump, e nëse Putin nuk reflekton, Trump mund të shpallë “sanksione të reja”.

 

Top Channel