
Një incident i rëndë me tone nacionaliste dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve ka ndodhur gjatë ndeshjes së parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Në prani të drejtuesve më të lartë të shtetit – përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviç – një pjesë e tifozëve në tribunë lëshuan thirrje të hapura anti-shqiptare, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër” – ishte një nga refrenët që u dëgjua qartë gjatë sfidës, sipas raportimeve nga media lokale.
Skandali nuk përfundoi aty. Gjatë lojës, u dëgjuan edhe thirrje më të rënda si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke rikthyer në kujtesë retorika të errëta dhe të rrezikshme nga historia e Evropës.
Incidenti ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale, ndërsa pritet që komuniteti shqiptar në Maqedoni dhe faktorë ndërkombëtarë të kërkojnë sqarime dhe masa konkrete ndaj tolerimit të gjuhës së urrejtjes në një aktivitet zyrtar sportiv.
Top Channel