
Pushues nga e gjithë bota kanë zgjedhur, këtë fillim gushti, Durrësin për të kaluar pushimet.
Të tërhequr nga deti i ngrohtë, historia mijëravjeçare dhe çmimet, ata ndajnë përshtypjet e para për këtë qytet bregdetar që i ka surprizuar për mirë.
“Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe Durrës. Vërtet bukur. Jemi disi të surprizuar, sepse kishim dëgjuar, e dini, shumë gjëra. Kështu që thjesht vendosëm të vijmë e të krijojmë opinionin tonë dhe na pëlqen shumë këtu. Njerëzit janë shumë të mirë. Çmimet janë më të lira. Zakonisht paguajmë dyfishin e parave në vende të tjera, si Spanja, Italia”, u shpreh një turist nga Çekia.
Nga historia e lashtë te mikpritja shqiptare dhe ushqimi i shijshëm, vizitorët gjejnë gjithçka që kërkojnë në Durrës dhe shpesh me një kosto më të ulët se në destinacione të tjera turistike.
“Vizituam amfiteatrin dhe do të vizitojmë site të tjera. Erdhëm para dy ditësh dhe është mirë dhe më lirë se në vendin tonë, Spanjë, por jo shumë ndryshim”, tha një vizitor.
“Po i shijojmë pushimet, sidomos detin dhe motin. Çmimet këtu janë pak më të ulëta se në Lituani”, u shpreh një turistë tjetër.
Edhe pse ndonjë përjetim nuk ka qenë i përsosur për të gjithë, shumica e pushuesve shprehen të kënaqur me përvojën në Shqipëri.
“Pushimet po shkojnë jo shumë mirë. Humba çantën. Po çmimet këtu afërsisht njësoj me Australinë, kur bën konvertimin”, tha një vizitor nga Australia.
“Jemi nga Hungaria. Është bukur. Na pëlqen, veçanërisht deti që s’e kemi. Çmimet janë thuajse njësoj”, tha një grua nga Hungaria.
“Shumë mirë. Beautiful”, u shpreh një djalë i vogël nga Franca.
Me mikpritjen, çmimet dhe shërbimin e mirë, Durrësi vazhdon të tërheqë turistët që largohen me bindjen se ia vlejti dhe do të kthehen serish.
Top Channel