
Rreth 400 protestues nga grupe kundërshtare marshuan të dielën në qytetin britanik Epping, në verilindje të Londrës, nën masa të rrepta sigurie, mes tensioneve të shtuara lidhur me emigracionin.
Ngjarja vjen pas akuzave ndaj një azilkërkuesi, i cili dyshohet për tre sulme seksuale, përfshirë një përpjekje për të puthur një vajzë 14-vjeçare. Protestuesit u mblodhën përpara hotelit The Bell, që aktualisht strehon azilkërkues, pavarësisht thirrjeve të këshillit vendor për ta mbyllur atë.
“Ata janë një kërcënim, nuk dimë kush janë dhe po rrezikojnë gjithë komunitetin”, deklaroi një protestuese që u identifikua si Cathy. Kundër protesta u organizua nga grupi Stand Up To Racism, me thirrjet “Refugjatët janë të mirëpritur këtu” dhe “Rrugët tona janë!”.
Policia e Essex-it kishte ngritur barriera për të ndarë grupet dhe ndaloi mbajtjen e maskave, duke njoftuar për një operacion të “fortë për të mbrojtur komunitetin dhe për të ndaluar çdo përpjekje për dhunë”.
U arrestuan tre persona, por protesta kaloi pa incidente të mëdha. Çështja e emigrantëve që mbërrijnë me varka përmes Kanalit të La Manshit ka ndezur ndjeshëm opinionin publik, sidomos mes krizës ekonomike dhe mesazheve nxitëse të ekstremit të djathtë në rrjetet sociale.
Përplasjet aktuale vijnë një vit pas ngjarjes tronditëse në Southport, ku tre vajza u vranë me thikë dhe trazirat shpërthyen pas përhapjes së lajmeve të rreme se autori ishte emigrant, ndonëse ishte i lindur në Britani. Deri tani, afro 24 mijë migrantë kanë kaluar Kanalin në vitin 2025 – shifra më e lartë ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Top Channel