
Një zjarr i madh ka shpërthyer në një depo nafte pranë vendpushimit rus në Detin e Zi, Soçi, ndërsa autoritetet ruse akuzojnë për sulm me dron ukrainas.
Për pasojë, aeroporti i Soçit ka pezulluar fluturimet deri në një njoftim të mëtejshëm.
Guvernatori i Rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, njoftoi në Telegram se mbeturinat e një droni kanë goditur një rezervuar karburanti dhe 127 zjarrfikës po punojnë për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, një sulm me raketa i forcave ruse ka goditur qytetin jugor ukrainas, Mykolaiv, duke shkatërruar shtëpi dhe infrastrukturë civile. Të paktën shtatë civilë u plagosën, ndërsa tre prej tyre po marrin trajtim në spital, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.
Sulmi me dron ndaj rafinerisë së Soçit ishte pjesë e disa sulmeve ukrainase gjatë fundjavës në qytete ruse si Ryazan, Penza dhe Voronezh. Guvernatori i Voronezhit tha se katër persona u plagosën nga një tjetër sulm me dron.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 93 dronë ukrainas gjatë natës, 60 prej të cilëve mbi rajonin e Detit të Zi. Nga ana tjetër, forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia qëlloi 83 dronë dhe shtatë raketa gjatë natës, duke rrëzuar 61 prej tyre, ndërsa 16 dronë dhe gjashtë raketa goditën objektiva në tetë vende të ndryshme.
Ngjarjet ndodhin pas një jave shumë të vështirë për civilët në Ukrainë, përfshirë sulmin në Kiev të enjten, ku u vranë të paktën 31 persona. Në këtë sulm u përdorën më shumë se 300 dronë dhe tetë raketa lundrimi, duke e bërë atë një nga më të përgjakshmit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.
Pas sulmeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për sanksione më të forta ndërkombëtare ndaj Rusisë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump dënoi veprimet e Moskës dhe paralajmëroi sanksione të reja ndaj eksportit rus të naftës dhe produkteve të tjera.
Në korrik, Trump kishte vendosur një ultimatum prej 50 ditësh për Putinin që të përfundojë luftën, përndryshe SHBA do të vendosë tarifa të ashpra ndaj Rusisë. Javën e fundit, ai përcaktoi një afat të ri prej 10-12 ditësh, që skadon më 8 gusht.
Top Channel