OSBE nuk u pyet për Kodin e ri Penal! Reagon për TCH: Po shqyrtojmë draftin, jemi gati të japim rekomandimet për qeverinë e parlamentin!

03/08/2025 12:03

Megjithëse Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ofruar asistencë të vazhdueshme teknike për shumë çështje, nuk i është kërkuar ekspertizë për ndryshimet në kodin penal.

Në një kthim përgjigje kërkesës të Top Channel zyra për shtyp e OSBE në Tiranë thotë se ndryshimet në kodin penal, janë të rëndësishme dhe se duke qenë një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë.

Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, thotë prezenca e OSBE në vendin tonë, ne po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

Përjashtimi dhe mos marrja e ekspertizës të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri i shtohet edhe Delegacionit të BE i cili në një reagim për Top Channel tregoi se nuk i është kërkuar të jenë në grupin e punës të këtyre ndryshimeve.

‘BE nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe se aktualisht këto propozime po shqyrtohen’. Duke treguar gatishmëri për ndihmë teknike shtohet më tej se rishikimi i kodit është një proces i rëndësishëm dhe kompleks dhe me një ndikim afatgjatë në shoqëri dhe në drejtësi” deklaroi delegacioni i BE në Tiranë.

Diplomatët e Brukselit në Tiranë nënvizojnë rëndësinë e garantimit të konsultimit gjithëpërfshirës me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Drafti i ndryshimeve paraqitur dy javë më parë ka prodhuar debate të forta.

Megjithatë të premten kryeministri Edi Rama u përfshi në këto debate duke dhënë garanci se ndryshimet në kodin penal nuk do të shkojnë në parlament pa marrë fillimisht aprovimin e Brukselit.

 

Top Channel