Misteri i 20-vjeçares italiane që humbi jetën gjatë një feste, pse ishte shtëpia e pastër, ku u zhdukën shishet e alkoolit dhe kujt i përkisnin gjurmët e gjakut?

03/08/2025 14:15

Një mister që zgjat 50 minuta. Koha gjatë së cilës ndodhi tragjedia e Simona Cinà-s, një 20-vjeçare, volejbolliste nga Capaci, e cila humbi jetën natën e së shtunës në një pishinë gjatë një feste diplome.

Një histori për të cilën po hetojnë karabinierët dhe prokuroria e Termini Imerese dhe që sipas avokatit të familjes së të resë, është ende plot me pikëpyetje. Familja kërkon që e vërteta të zbardhet.

Postimi i fundit i Simonës është nga nata e së shtunës. Ajo është në një karburant me dy miq. “Jam tashmë i dehur,” thotë njëri prej tyre në një video të publikuar në Instagram. Një lloj transmetimi live i mbrëmjes që grupi po përgatitej të kalonte. Dy djem kishin organizuar festën e diplomës në një vilë me qira në Bagheria, pranë Palermos. Ditët para festës, ata kishin dërguar dhjetëra ftesa në WhatsApp, duke paralajmëruar një mbrëmje me shumë alkool. “Do t’ju mbajmë të hidratuar”, kishin shkruar, ndjekur nga një seri emojish me gota dhe shishe.

Në kopshtin e vilës, rreth tetëdhjetë të rinj kërcejnë, pinë dhe bisedojnë gjithë mbrëmjen. Simona është mes tyre. Ajo ndjehet mirë, është e qetë. Rreth orës 1 të natës i dërgon një mesazh nënës së saj duke i thënë se do të bëjë një banjë në pishinë dhe për pak nuk do ta ketë me vete celularin. Në orën 3:20 shoqja e saj e ngushtë, e cila më pas e thotë këtë vetë në polici, largohet nga festa dhe e lë Simonën me pjesën tjetër të grupit. Në orën 4:10, dikush telefonon numrin e urgjencës dhe kërkon ndihmë. Tre minuta më vonë njoftohet shërbimi i emergjencës 118, i cili mbërrin në vilë në orën 4:23.

Simona u nxor nga uji dhe dikush tentoi ta shpëtonte në mënyrë të ngathët, këtë e tregojnë shenjat e kuqe në gjoksin e saj të zbuluara nga mjeku ligjor. Në orën 4:50, nëna e saj, e shqetësuar që nuk kishte ardhur ende në shtëpi, e telefonon. I përgjigjet një i ri: “Zonjë, ejani. Simona është keq”.

Bashkë me bashkëshortin, një punonjës supermarketi, motrën binjake të viktimës dhe vëllain më të madh, ata shkojnë me shpejtësi në Bagheria, ku në agim mbërrin edhe avokati i familjes Cinà, Gabriele Giambrone.

Në pritje për t’u marrë në pyetje nga karabinierët, njëzet të rinj, të përgjumur dhe të tronditur, disa ende me rroba banje janë dëshmitarë të skenave të dëshpërimit të prindërve të Simonës. Të gjithë thuajse japin të njëjtën dëshmi: “Nuk kuptuam çfarë kishte ndodhur. E pamë në pishinë të vdekur vetëm pas njëfarë kohe.”

Një rrëfim që nuk bind avokatin.

“Si është e mundur që dhjetëra njerëz që ndodheshin në një hapësirë më pak se 100 metra katrorë nuk e panë për minuta të tëra trupin në një pishinë pak më të madhe se një vaskë? Dhe pse, sipas disa dëshmive, Simona ishte me fytyrën lart? Nëse do të kishte rënë në ujë pas një problemi shëndetësor, nuk do të ishte në atë pozicion”, shprehet avokati i familjes.

Volejbollistja mund të ketë pasur një problem shëndetësor sapo hyri në ujë dhe të ketë ndërruar jetë pak më vonë.

“Këtë do ta tregojë autopsia edhe pse Simona ishte në gjendje të shkëlqyer shëndetësore, kishte një stil jetese shumë të shëndetshëm dhe e shmangte alkoolin, sepse ishte sportiste. Gjithsesi, është e pashpjegueshme që askush nuk e vuri re për minuta të tëra”, tha avokati.

Po ashtu, për avokatin penal, skena që i është paraqitur hetuesve është e çuditshme. Kopshti dhe pishina, ku dhjetëra të rinj kishin festuar, kërcyer dhe pirë, ishin krejtësisht të pastra.

“Dikush kishte pastruar gjithçka dhe madje kishte mbledhur shishet e ujit në qese plastike. Ndërkohë që nuk kishte asnjë gjurmë alkooli”, u thotë avokati penal.

Megjithatë, organizatorët në ftesën për festën, kishin rekomanduar që të sillnin rroba banje duke parashikuar se dikush shumë i dehur mund të futej në pishinë.

Dyshimi, pra, është se pas tragjedisë, të paktën është tentuar të pastrohet vendi. Dikush ka zhdukur alkoolin, por nuk ka mundur të fshijë gjurmët e gjakut të zbuluara nga karabinierët.

“Një i ri ka treguar se, i tronditur nga ajo që ndodhi, goditi një karrige me këmbë dhe u lëndua”, tha avokati. I riu është marrë në analizë për të bërë testin e ADN-së për të verifikuar nëse gjurmët e gjakut janë realisht i tij.

 

Top Channel