Kapen duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit, arrestohen katër persona në Gjirokastër, mes tyre edhe organizatori

03/08/2025 11:23

DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Attempt 2”.

U kapën në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 9 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihen në pranga 4 shtetas (midis tyre dhe organizatori i kësaj veprimtarie kriminale).

Sekuestrohen 2 automjete, 400 euro dhe 6 celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, Sektorin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informaciove të siguruara në rrugë policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Attempt 2”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. B., 29 vjeç, A. A., 48 vjeç, si dhe një shtetas i mitur 17 vjeç, të tre banues në Lushnje.

Gjithashtu, u bë ndalimi i shtetasit D. D., 34 vjeç, banues në Lushnje, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale.

Shtetasi i mitur 17 vjeç, u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, duke drejtuar automjetin tip “Mercedez benz”, pa leje drejtimi, po transportonte kundrejt fitimit, 9 emigrantë nga Egjipti, në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për kontroll, por braktisi automjetin dhe u largua.

Shtetasit A. A., dhe K. B., dyshohet se qarkullonin me automjetin tip “Fiat”, për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar 17-vjeçarin, për prezencë të shërbimeve të Policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet, 400 euro dhe 6 celularë.

Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel