Jubileu i rinisë! Papa Leon XIV merr pjesë në takimin e 800 mijë të rinjve nga 146 shtete

03/08/2025 12:17

Rreth 800,000 të rinj nga 146 vende të botës u mblodhën të shtunën në periferi të Romës për të marrë pjesë në një vigilie lutjeje me Papën Leon XIV, i cili mbërriti me helikopter ushtarak, duke u pritur si një yll rock-u.

Organizatorët besojnë se numri i pjesëmarrësve mund të ketë arritur edhe në një milion. Nga Papamobil, Ati i Shenjte përshëndeti turmën entuziaste të të rinjve që kishin kaluar ditën duke kënduar, lutur dhe duke ndarë mesazhe besimi.

Ai u ngjit në skenë duke mbajtur një kryq prej druri dhe u drejtua me fjalë solemne: “Pas këtyre ditëve lutjeje dhe bashkëndarjeje, tani jemi mbledhur së bashku për të qëndruar në vigjilje në dritën e mbrëmjes.” Ngjarja, e quajtur “Jubileu i Rinisë”, shënon një nga tubimet më të mëdha rinore të Kishës Katolike në 25 vitet e fundit, që nga papati i Gjon Palit II.

Sheshi në Tor Vergata, ku u mbajt vigjilja, është sa 70 fusha futbolli dhe gjatë ditës u argëtuan me muzikë dhe valle dhjetëra grupe fetare. Në gjithë javën, pjesëmarrësit kanë kryer edhe rrëfime në Circus Maximus, me rreth 1,000 priftërinj të pranishëm dhe 200 tenda rrëfimore, në një atmosferë fetare e shpirtërore.

Ngjarja vjen në një kohë kur të rinjtë përballen me pasiguri ekonomike, ndryshime klimatike dhe konflikte ndërkombëtare, ndërsa disa prej tyre janë udhëtuar nga zona lufte si Siria dhe Ukraina. Para vigilies, Papa u lut edhe me shoqëruesit e një pelegrineje 18-vjeçare egjiptiane, e cila humbi jetën pas një ataku kardiak gjatë kthimit në strehim.

Mbi 4,300 vullnetarë dhe më shumë se 1,000 forca policore kujdesen për sigurinë në këtë ngjarje madhështore, e cila shënon kulmin e një jave të tërë lutjesh dhe festimesh.

 

Top Channel