
Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në SHBA ka nisur një hetim zyrtar ndaj ish-prokurorit Jack Smith, pas pretendimeve për abuzim me detyrën dhe ndikim politik gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, raportojnë mediat amerikane.
Smith, i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland për të hetuar dy çështje kryesore kundër Donald Trump — trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe ngjarjet e 6 janarit 2021 — është akuzuar se ka përdorur pushtetin për të dëmtuar fushatën e Trump dhe për të favorizuar kandidatin demokrat Joe Biden. Të dyja rastet janë rrëzuar nga gjykatat pas rikthimit të Trump në presidencë.
Hetimi vjen nga Njësia e Aktit Hatch, ligji që ndalon zyrtarët federalë të përfshihen në aktivitete politike, dhe është konfirmuar nga një email i zbuluar nga The New York Post, i cili vjen nga këshilltari i lartë Charles Baldis. Senatori republikan Tom Cotton, që kërkoi nisjen e hetimit, deklaroi se “askush nuk është mbi ligjin” dhe e konsideroi sjelljen e Smith si “abuzim të pastër me pushtetin”.
Sipas Cotton, Smith ka përshpejtuar hetimet në momente kyçe të fushatës, si kaukuset në Iowa, duke synuar të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve dhe duke kryer “aktivitet elektoral të paligjshëm nga një zyrtar publik”.
Jack Smith nuk ka komentuar ende për hetimin, por më parë ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë të pavarura dhe në përputhje me ligjin. Ai dha dorëheqjen në janar 2025, pas rikthimit të Trump në detyrë.
Nëse hetimi për shkelje të mundshme ligjore dhe përdorim politik të pushtetit do të përfundojë me ngritjen e aktakuzës ndaj Smith, mund të hapet një kapitull i ri edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Lind pyetja nëse prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, me urdhër të presidentit Trump, do të kërkojë tërheqjen e prokurorëve specialë amerikanë të përfshirë në çështjen kundër Thaçit, në rast se provohet se Smith ka shkelur procedurat gjatë arrestimit të tij.
Thaçi u arrestua në prag të një vizite të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë, ku do të nënshkruhej një marrëveshje historike paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Akuza për motiv politik në këtë arrestim janë përhapur prej kohësh në qarqe politike në Ballkan, por nisja e hetimeve ndaj Smith po i jep këtyre dyshimeve një dimension krejtësisht të ri.
Top Channel