Bandat marrin peng mbi 50 persona në veriperëndim të Nigerisë! OKB: Trendi i fundit i rrëmbimeve masive është shqetësues

03/08/2025 23:01

Më shumë se 50 persona janë rrëmbyer nga persona të armatosur në një rrëmbim masiv në veriperëndim të Nigerisë, sipas një raporti të OKB-së, që citon Agence France-Presse.

Sipas raportit, “banditë të armatosur” sulmuan fshatin Sabon Garin Damri, në Zamfara, ku banorët e zonave rurale kanë vuajtur prej kohësh nga bandat që rrëmbejnë për shpërblim, plaçkitin fshatra dhe vendosin taksa.

Kjo është ngjarja e parë e “rrëmbimit masiv” në zonën administrative Bakura për këtë vit, thuhet në raport. “Trendi i fundit i rrëmbimeve masive në Zamfara është shqetësues”, shkruhet aty, duke vënë në dukje një “ndryshim në strategjinë e bandave drejt sulmeve më të mëdha në veri të Zamfarës”.

Zëdhënësi i policisë në Zamfara nuk ka dhënë ende një koment. Kriza e “banditizmit” në Nigeri ka origjinën në konfliktet për tokë dhe ujë midis blegtorëve dhe fermerëve, por është kthyer në krim të organizuar, ku bandat shfrytëzojnë komunitetet rurale, të cilat prej kohësh kanë qenë të braktisura nga shteti.

Kjo dhunë po përkeqëson edhe krizën e kequshqyerjes në veriperëndim, pasi sulmet detyrojnë njerëzit të braktisin tokat bujqësore, në një situatë të ndërlikuar më tej nga ndryshimet klimatike dhe shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare.

Muajin e kaluar, banditët në Zamfara vranë 33 persona të cilët i kishin rrëmbyer në shkurt, pavarësisht se kishin marrë një shpërblim prej 33.700 dollarësh. Po ashtu, tre foshnja humbën jetën në robëri, thanë banorët lokalë.

Që nga viti 2011, me rritjen e trafikut të armëve dhe trazirat në rajonin më të gjerë të Sahelit, banda të armatosura të organizuara janë formuar në veriperëndim të Nigerisë, ku vjedhja e bagëtive dhe rrëmbimet janë kthyer në burime të mëdha fitimi në zonat e varfra rurale.

Këto grupe gjithashtu vendosin taksa ndaj fermerëve dhe minatorëve artizanalë. Dhuna është përhapur në vitet e fundit nga veriperëndimi edhe në veriun qendror të vendit.

Top Channel