Vidhte në Durrës dhe Tiranë, në vila, hotele, biznese! Kapet hajduti serial

02/08/2025 12:33

Një hajdut serial ka rënë në prangat e policisë së Durrësit.

21-vjeçari O.H., vidhte në Durrës dhe Tiranë, në vila, hotele, biznese, tabakino dhe parkingje, ku merrte shuma parash, sende me vlerë, motomjete, biçikleta dhe monopatina.

Autori i dyshuar, rezulton i dënuar më parë për vjedhje dhe i shpallur në kërkim për disa ngjarje të tjera.

Në total janë zbardhur 11 vjedhje të kryera në qarqet Durrës dhe Tiranë nga ky shtetas, i cili rezulton autor i një sërë vjedhjesh të ndodhura gjatë muajit korrik.

Në momentin e ndalimit, ai ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, por është neutralizuar dhe vënë në pranga.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale mjetet e përdorura për të kryer vjedhjet (thikë, kaçavidë, etj.), dy motomjete, një aparat celular, si dhe sende të tjera me vlerë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Vjedhja” (në më shumë se një rast), “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Shkatërrimi i pronës”, dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Top Channel