
Një epokë përfundon në “Tottenham Hotspur Stadium”, teksa kapiteni dhe legjenda e klubit, Son Heung-Min, ka konfirmuar largimin e tij nga Spurs, në një konferencë për shtyp të mbushur me emocione dhe lot.
Edhe pse kontrata e tij me klubin skadon verën e ardhshme, 33-vjeçari koreano-jugor ka vendosur të mos e çojë deri në fund, duke marrë bekimin e presidentit Daniel Levy për t’u larguar që këtë verë, vetëm dy muaj pas triumfit historik në Europa League që i dha fund një thatësire 17-vjeçare pa trofe për klubin.
Në nisje të deklaratës së tij, Son tha: “Kam vendosur të largohem nga klubi në verë. Dhe me shumë respekt, klubi po më ndihmon ta realizoj këtë vendim. Ishte diçka që doja ta ndaja personalisht me ju para se të fillojmë këtë konferencë.”
Sulmuesi iu bashkua Tottenhamit në gusht të vitit 2015 nga Bayer Leverkusen për 22 milionë paund dhe që atëherë ka qenë një nga figurat më të dashura të tifozëve, si për performancën në fushë, ashtu edhe për qëndrimin jashtë saj.
“Ishte vendimi më i vështirë i karrierës sime. Kam kaluar 10 vite të paharrueshme në një klub të mrekullueshëm, me tifozë fantastikë dhe kujtime që do i mbaj gjithmonë me vete,” – u shpreh Son, me zërin që i dridhej nga emocionet.
Ai shtoi se ndjeu se kishte ardhur momenti për një sfidë të re dhe një ambient të ri: “Ndonjëherë, për të nxjerrë më shumë nga vetja, duhet të ndryshosh. Dhjetë vite janë shumë – erdha si një djalosh 23-vjeçar që nuk fliste anglisht, po largohem si një burrë i formuar. Ky është një moment shumë krenar për mua.”
Son mbyll një dekadë të artë në Londrën Veriore, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme – golashënues, lider dhe simbol i përkushtimit. Ai ka qenë frymëzim për shumë lojtarë të rinj dhe një figurë ikonë për komunitetin aziatik në futbollin europian.
“Tottenham ishte shtëpia ime. Tifozët më kanë dhënë më shumë dashuri sesa mund ta imagjinoja. Nuk do ta harroj kurrë këtë klub,” – përfundoi Son.
Ende nuk dihet destinacioni i tij i ardhshëm, por një gjë është e sigurt: Son Heung-Min largohet nga Spurs si një legjendë.
Top Channel