Vendet skandinave goditen nga një valë e madhe të nxehti, periudha më e gjatë që nga 1961

02/08/2025 16:17

Vendet skandinave po përballen me një valë të paparë të nxehtësisë, me temperatura që kapin dhe tejkalojnë 30°C, madje edhe në Rrethin Arktik.

Kjo është periudha më e gjatë e nxehtësisë së regjistruar në rajon që nga viti 1961, sipas të dhënave zyrtare nga institucionet meteorologjike nordike.

Finlanda ka regjistruar tri javë radhazi me temperaturat mbi 30°C, ndërsa në Norvegji, vala e të nxehtit zgjati për 13 ditë gjatë muajit korrik. Temperaturat ekstreme prekën edhe zonat më veriore të të dy vendeve.

Sipas klimatologes Mika Radanen nga Instituti Meteorologjik Finlandez, vala e të nxehtit “është ende në kulmin e saj”, me temperatura që arrijnë deri në 32–33°C. Ajo thekson se edhe rajonet arktike kanë përjetuar tri javë me temperatura mbi 25°C dhe ka mundësi që rekordet për muajin gusht të tejkalohen ditët në vijim.

Në Norvegji, të paktën një stacion meteorologjik në secilin nga tre rajonet më veriore të vendit regjistroi temperatura mbi 30°C për 12 ditë gjatë korrikut. Edhe pse u shënua një lehtësim i përkohshëm, autoritetet paralajmëruan për një tjetër valë të nxehti gjatë fundjavës.

Suedia gjithashtu është prekur rëndë nga ky fenomen: në Haparanda temperaturat mbetën mbi 25°C për 14 ditë rresht, ndërsa në Jokkmokk të Laplandit, vala e të nxehtit zgjati për 15 ditë.

Vala e të nxehtit filloi në mesin e korrikut, e nxitur nga ujërat e pazakontë të ngrohta në bregdetin verior norvegjez dhe nga një sistem i fuqishëm presioni të lartë që shtyu temperaturat deri në 10°C mbi mesataren sezonale. Ndërkohë, pjesë të tjera të Evropës Veriore u goditën nga stuhi të forta, rrufe dhe zjarre.

Sipas gazetës The Guardian, kjo valë e pazakontë ka zënë në befasi shumë banorë të rajonit. Në veri të Finlandës, një pistë akulli është hapur për qytetarët që kërkojnë të freskohen nga të nxehtit përvëlues – një pamje e rrallë për verën në Rrethin Arktik.

Top Channel