
Një valë të nxehti e paprecedentë ka përfshirë vendet nordike, duke përmbysur përfundimisht perceptimin e klimës së freskët dhe të ftohtë në rajonet afër Arktikut.
Temperaturat përvëluese, të forcuara dhe të zgjatura nga ndotja me karbon, kanë prekur nivele të pazakonta për veriun e Europës.
Në Finlandë, temperaturat kanë kapur shifrën e 30°C për tre javë rresht, ndërkohë që një stacion meteorologjik në Arktikun norvegjez ka regjistruar temperatura mbi 30°C për 13 ditë gjatë muajit korrik — një rekord absolut sipas të dhënave që datojnë që prej vitit 1961. Shkencëtarët thonë se kjo periudhë e të nxehtit është 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm.
“Një valë të nxehti vërtet e paprecedentë është ende në zhvillim. Temperaturat sot shënuan rreth 32-33°C,” shkroi Mika Rantanen, shkencëtar i Institutit Meteorologjik Finlandez, në rrjetet sociale. Ai paralajmëroi gjithashtu se edhe zonat përreth Arktikut kanë qëndruar mbi 25°C për tri javë, duke sfiduar rekorde të tjera për muajin gusht.
Edhe Suedia është përballur me kushte ekstreme. Në Haparanda, një stacion meteorologjik në veri të vendit, u regjistruan 14 ditë rresht me temperatura mbi 25°C, ndërsa në Jokkmokk, në Lapland, vala e të nxehtit zgjati 15 ditë. “Për të gjetur një periudhë më të gjatë me këto temperatura, duhet të kthehemi më shumë se një shekull më parë,” deklaroi Sverker Hellström nga Instituti Suedez i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë.
Në Norvegji, sipas Institutit Meteorologjik, temperaturat mbi 30°C janë regjistruar në 12 ditë të ndryshme në korrik në tre qarqet më veriore të vendit. Megjithëse vala e të nxehtit pati një ndërprerje të shkurtër, pritet që fundjava të sjellë sërish temperatura të larta në veri të Norvegjisë.
Ky valë ekstreme i të nxehtit nisi në mesin e korrikut dhe u shty nga ujërat e ngrohta në brigjet veriore norvegjeze dhe një zonë e qëndrueshme presioni të lartë që rriti temperaturat me 8-10°C mbi normat sezonale. Rajoni ka përjetuar gjithashtu stuhi, vetëtima dhe zjarre të shkaktuara nga thatësira.
Mungesa e përgatitjes për kushte të tilla ekstreme është bërë tashmë evidente. Në Finlandën veriore, një pistë akulli është hapur për të strehuar qytetarët që nuk përballonin më të nxehtin, pasi urgjenca spitalore ishte mbushur tej kapaciteteve. Ndërkohë, barinjtë lokalë kanë ngritur alarmin se drerët janë në rrezik për jetën nga temperaturat e larta.
Turistët e huaj që kishin zgjedhur Skandinavinë për “coolcations” – pushime në vende të freskëta – janë përballur me paralajmërime për rreziqe nga i nxehti, një ironi e hidhur në klimën që dikur konsiderohej ideale për pushime të freskëta verore.
Sipas Heikki Tuomenvirta nga Instituti Meteorologjik i Finlandës, “Me përparimin e ndryshimeve klimatike, valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta, më të rënda dhe më të gjata në kohë.” Vendet si Britania, Norvegjia dhe Zvicra pritet të përjetojnë rritjen më të madhe relative të ditëve me nxehtësi të padurueshme, ndërkohë që infrastruktura e tyre aktuale është ende larg përballimit të këtyre kushteve ekstreme.
Top Channel