Tragjedi në Siçili, volejbollistja 20-vjeçare gjendet e vdekur në pishinë gjatë një feste

02/08/2025 19:35

Simona China, 20 vjeçe, u gjet e vdekur në pishinën e një vile private në qytetin Bagheria të Siçilisë, gjatë një feste të organizuar nga dy të rinj me rastin e diplomimit të tyre.

Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje dhe lajmi ka tronditur komunitetin vendas. Simona ishte e njohur dhe e dashur në botën e volejbollit, duke garuar deri vitin e kaluar me ekipin ACDS Capacense.

Presidenti i ekipit të saj, Paolo Di Maggio, foli me emocion për 20-vjeçaren: “Ishte një vajzë e qeshur, e përkushtuar ndaj sportit dhe veçanërisht e dashur në komunitet. Ajo e donte volejbollin, u mësonte edhe fëmijëve të vegjël. Jemi të tronditur nga humbja e saj.”

Sipas raportimeve fillestare, dyshohet se Simona ra në pishinë dhe nuk mundi të dilte. Ekipet e shpëtimit, që mbërritën në vendngjarje, thjesht konstatuan vdekjen e saj.

Megjithatë, avokati i familjes, Gabriele Giambrone, ngriti dyshime serioze për rrethanat e vdekjes. Ai theksoi se për një kohë të gjatë askush nuk e vuri re trupin në ujë, pavarësisht se pishina ishte e vogël dhe vila ishte plot me njerëz.

“Pozicioni i trupit të Simonës kur u gjet nuk është në përputhje me një rënie të thjeshtë në ujë”, u shpreh ai.

Reagimi i familjes dhe boshllëqet në kronologji
Prindërit e saj nuk u informuan nga askush për ndodhinë. Kur e telefonuan në celular, një person i panjohur u përgjigj dhe u tha: “Simona nuk është mirë.” Kur mbërritën në vilë, e gjetën vajzën të vdekur.

Sipas dëshmive, shoqja më e mirë e Simonës ishte larguar nga festa rreth orës 3:00 të mëngjesit. Ky fakt krijon një boshllëk të madh kohor që mbetet ende i paqartë.

Avokati Giambrone deklaroi gjithashtu se: “Askush nuk pa asgjë, ndërsa disa ishin ende të lagur nga pishina. Si është e mundur që nuk vunë re asgjë? Shtëpia ishte jashtëzakonisht e pastër, nuk kishte asnjë gjurmë alkooli.”

Ai shtoi se Simona nuk konsumonte alkool dhe ishte shumë e kujdesshme me dietën dhe shëndetin e saj.

Pas ngjarjes, autoritetet urdhëruan autopsinë. Një mostër ADN-je u mor nga një i ri, i cili deklaroi se ishte plagosur pasi u hodh në pishinë nga një shok kur mësoi për incidentin. Gjurmë gjaku u gjetën në vendngjarje dhe po analizohen.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa familja kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së vajzës së tyre.

Top Channel