Sulmi në Montana të SHBA-së, policia gjen makinën e përdorur nga autori i vrasjeve! Veterani i ushtrisë amerikane ende në arrati

02/08/2025 21:11

Policia ka gjetur makinën e arratisjes së veteranit të ushtrisë amerikane, i cili hyri në një bar në shtetin perëndimor të Montanës dhe qëlloi për vdekje katër persona.

Autori i armatosur ende mbetet i lirë, teksa nuk dihet ende se ku është arratisur.

Të shtënat ndodhën në The Owl Bar në qytetin e Anaconda-s rreth orës 10:30 sipas orës lokale. Pronari i barit i tha agjencisë së lajmeve AP se mendon që i dyshuari mbante “kapuç”.

Policia njoftoi se ka gjetur kamionçinën e bardhë Ford-150 që i dyshuari e përdori për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka asnjë shenjë të personit të armatosur.

Autoritetet tani po i përqendrojnë kërkimet e tyre në një zonë malore në perëndim të Anacondës dhe u kanë kërkuar banorëve të zonës të qëndrojnë në shtëpi dhe të kyçin dyert.

Qendra e Zbatimit të Ligjit e Qarkut Anaconda-Deer Lodge e identifikoi të dyshuarin si Michael Paul Brown në një postim në mediat sociale, duke shtuar se ai “besohet të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Sipas të dhënave publike, ai jetonte ngjitur me lokalin. I dyshuari është një veteran i Forcave të Armatosura të SHBA-së, tha një zëdhënëse e Ushtrisë për mediat amerikane. Ai shërbeu si pjesëtar i një ekuipazhi të blinduar nga viti 2001 deri në vitin 2005 dhe u dërgua në Irak nga viti 2004 deri në vitin 2005.

Top Channel