Revoltohet Ardon Jashari, kërkon takim urgjent me drejtuesit e Brugge për t’u larguar! Klubi belg e “bllokon”

02/08/2025 11:10

Pavarësisht dëshirës së qartë të lojtarit për t’u larguar, Club Brugge vazhdon të mbajë të bllokuar situatën e mesfushorit Ardon Jashari.

23-vjeçari është përfshirë në listën e skuadrës për ndeshjen e raundit paraprak të Ligës së Kampionëve ndaj Salzburgut, që do të luhet më 6 gusht, një lëvizje që shihet si një sinjal ndaj AC Milan, klubi që ka shfaqur interes konkret për transferimin e tij.

Megjithatë, për sfidën e kampionatit kundër Mechelen, trajneri Hayen ka vendosur të mos e përfshijë Jasharin, duke nxitur edhe më shumë spekulimet për një largim të afërt.

Nga Belgjika raportohet se lojtari do të zhvillojë një takim këtë fundjavë me drejtuesit e klubit, ku do të rikonfirmojë dëshirën e tij për t’u larguar. Sipas burimeve pranë lojtarit, ai është i zhgënjyer nga premtimi i menaxhmentit për t’i lejuar një transferim në rast se mbërrinte një ofertë e përshtatshme – premtim që deri tani nuk është mbajtur.

Sipas Sky Sports, Club Brugge i kishte vendosur vetes një prag minimal prej 32.5 milionë eurosh për ta lënë të lirë Jasharin. Oferta e AC Milan, që kap vlerën e 33.5 milionë eurosh plus 5 milionë në formë bonusesh, e tejkalon këtë shifër. Por drejtuesit belgë nuk kanë dhënë ende miratimin, të tunduar nga ofertat më të larta që kanë mbërritur kohët e fundit.

Në garë është futur edhe klubi arab Neom, që raportohet se ka ofruar rreth 45 milionë euro, ndërkohë që një ofertë tjetër prej 40 milionë eurosh ka ardhur nga një klub anglez ende i paidentifikuar. Ndërkohë, edhe Bayer Leverkusen është duke ndjekur situatën nga afër.

Për AC Milan, situata po komplikohen, pasi megjithëse kanë bërë një ofertë konkurruese, Club Brugge duket i vendosur të presë edhe pak më gjatë për të maksimizuar përfitimin financiar nga shitja e njërit prej talenteve më të spikatur në mesin e fushës.

Top Channel