Netanyahu shtyn vendimin për veprim ushtarak në Gaza, Hamasi largohet nga negociatat

02/08/2025 08:42

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shtyrë për javën tjetër marrjen e një vendimi për veprimet ushtarake në Gaza, në rast se Hamasi nuk pranon një marrëveshje armëpushimi, tha për CNN një burim i afërt me çështjen të premten.

Vendimi nuk pritet më këtë javë, shtoi burimi. Sipas tij, në qeverinë izraelite ka ndarje të forta për hapat që duhen ndërmarrë në enklavë.

Një prej propozimeve në diskutim, nëse Hamasi nuk pranon marrëveshjen, është rrethimi i qytetit të Gazës dhe zonave të banuara. Një tjetër propozim më ekstrem është pushtimi i plotë i qytetit, me ministra të ndryshëm që mbështesin skenarë të ndryshëm.

Ndërhyrja e SHBA dhe ngecja e bisedimeve

Të enjten, një zyrtar i lartë izraelit tha se Izraeli dhe SHBA po formulojnë një qasje të re të përbashkët për Gazën, ndërkohë që Hamasi është tërhequr nga bisedimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

“Në të njëjtën kohë, Izraeli dhe SHBA do të punojnë për rritjen e ndihmës humanitare, duke vazhduar operacionet ushtarake,” deklaroi zyrtari.

Burime të afërta me procesin konfirmojnë se Hamasi është distancuar nga negociatat, pasi më herët edhe delegacionet amerikane dhe izraelite u tërhoqën nga bisedimet në Doha, Katar. Emisari amerikan, Steve Witkoff, e akuzoi Hamasin se “negocion me keqbesim”.

Megjithatë, Izraeli ka shprehur gatishmëri për të kthyer delegacionin në tryezën e bisedimeve, nëse Hamasi ndryshon qëndrim.

Të enjten, Hamasi deklaroi se mbetet i angazhuar për një marrëveshje që përfshin armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza, por theksoi se kjo mund të ndodhë vetëm nëse përmirësohet ndjeshëm situata humanitare.

“Është e domosdoshme të përmirësohet situata katastrofike në Gaza dhe të kemi një përgjigje me shkrim nga armiku për ofertën tonë,” tha për CNN Basem Naim, anëtar i lartë i Hamasit.

Në një deklaratë të veçantë, Hamasi shtoi se është gati të rifillojë menjëherë negociatat, por vetëm pasi të mbërrijë ndihma për njerëzit në nevojë dhe të ndalet uria masive.

Situata në Gaza vazhdon të përkeqësohet. Sipas OKB-së, të gjithë 2.1 milionë banorët janë në pasiguri ushqimore, pa akses të qëndrueshëm në ushqim të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se 900,000 fëmijë janë duke vuajtur nga uria, ndërsa 70,000 kanë shenja të qarta të kequshqyerjes.

Top Channel