Ndjekja në det që çoi në sekuestrimin e kokainës me vlerë 11 milionë paund, operacioni zbulon skemën e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar

02/08/2025 21:25

Për surfistët dhe shëtitësit e qenve në plazhin e Kornuollit, ajo që ndodhi dukej si një skenë filmi thriller, një ndjekje që përfundoi me dy anije të ngecura në rërë, tre burra që përpiqeshin të arratiseshin nëpër duna, arrestime dhe zbulimi i miliona paundëve kokainë.

Por për hetuesit britanikë, kjo ishte pika e nisjes së një hetimi kompleks dhe të mundimshëm, që hodhi dritë mbi një taktikë gjithnjë e më të përdorur nga kartelet e drogës të Amerikës së Jugut dhe grupet e krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo metodë, e njohur si “Asdo” (at-sea drop-offs), konsiston në hedhjen e pakove me kokainë të pajisura me gjurmues GPS në det nga anije transatlantike, për t’u mbledhur më pas nga gomone të vogla dhe për t’u futur në territorin britanik përmes gjireve dhe porteve të izoluara.

Ndjekja dhe kapja dramatike në Cornwall

Operacioni nisi më 13 shtator të vitit të kaluar, kur anija patrulluese HMC Valiant e Forcave Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar, teksa patrullonte pranë brigjeve të Kornuollit, vërejti një gomone të fryrë me trup të fortë (RHIB) që po lundronte me shpejtësi. Oficerët ishin në dijeni të pranisë së një “anijeje mëmë” në zonë, dhe kur iu afruan, gomonia u largua menjëherë.

Gjatë një ndjekjeje prej 28 miljesh, tre burrat në RHIB hodhën në det 11 pako me kokainë. Ndjekja përfundoi në plazhin Gwynver pranë Land’s End, ku të tre – Peter Williams (44 vjeç), Scott Johnston (38 vjeç) dhe Edwin Yahir Tabora Baca (33 vjeç) – u arrestuan në vendngjarje. Zyrtarët gjetën gjashtë nga pakot, me vlerë rreth 18 milionë paund.

Në gomone u sekuestruan pajisje për hartografi, një thikë dhe GPS Garmin. Një hetim i thelluar i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) filloi menjëherë, me një ekip hetuesish që u dërgua nga Londra për të ndjekur gjurmët.

Një peshkatar në borxhe dhe një “turist” misterioz

Hetimi zbuloi se Williams, një peshkatar nga porti Emsworth në Hampshire, ishte një figurë e njohur në komunitetin lokal. Ai drejtonte një kompani peshkimi dhe një dyqan të suksesshëm me emrin Fresh from the Boat. Megjithatë, vështirësitë ekonomike kishin nisur pas shkatërrimit të varkës së tij në stuhinë Eunice në shkurt 2022. Komuniteti e ndihmoi për të blerë një varkë të re, por presioni financiar mbeti i madh.

Ndërkohë, Tabora Baca, një qytetar kolumbian që jetonte në Barcelonë, pretendoi se ishte thjesht një turist i ftuar për një udhëtim peshkimi. Por telefoni i tij tregoi të kundërtën, mesazhe me udhëzime të detajuara për të shoqëruar Williams dhe Johnston në mbledhjen e drogës. Baca besohet se shërbente si “oficer sigurie” për një kartel, për të garantuar që klientët të merrnin pjesën e tyre.

Rrjeti i gjerë i trafikantëve

Hetimi u zgjerua dhe përfshiu tre burra nga Essex – Bobbie Pearce (29 vjeç), Michael May (47 vjeç) dhe Terry Willis (44 vjeç) – të cilët kishin udhëtuar drejt Kornuollit me një furgon të bardhë me qira. NCA beson se ata ishin ngarkuar me transportimin e kokainës për në Essex dhe Londrën juglindore.

Kur ndjekja filloi, Johnston telefonoi Willis për ta paralajmëruar për dështimin e operacionit, para se të hidhte telefonin në det. Grupi u largua menjëherë nga zona, duke përdorur një BMW dhe furgonin e bardhë.

Një tjetër emër i përfshirë në këtë skemë ishte Alex Fowlie (35 vjeç) nga West Sussex, i cili kishte blerë gomonen për 70,000 paund nga një kompani detare në Uellsin e Veriut. Ai vepronte si ndërmjetës mes organizatorëve dhe transportuesve.

Ironikisht, Fowlie ndodhej vetëm pak kilometra larg gjatë gjithë operacionit – në pushime me partneren e tij në Newquay – duke postuar foto të lumtura në Facebook ndërsa po zhvillohej një ndërmarrje kriminale në brigjet aty pranë. Vetëm tre ditë pas dështimit të parë, ai po përgatiste një tjetër “Asdo”. Në një mesazh për një bashkëpunëtor ai shkruante:
“Na duhet vetëm një peshkatar dhe një nga ne që të shkojë me të. Ata do të dërgojnë një nga djemtë e tyre për të mbikëqyrur. Ke radarët – nëse sheh ndonjë që vjen drejt teje, thjesht hidh gjithçka në det. Ka GPS-in dhe dalim ta marrim më vonë. S’ka rrezik fare.”

Edwin Yahir Tabora Baca, Scott Johnston, Terry Willis dhe Michael May u shpallën fajtorë dhe u dënuan për komplot për importimin e drogës të klasit A më 1 gusht. Të tjerët, përfshirë Williams, Pearce dhe Fowlie, do të dënohen në seancën gjyqësore të caktuar për 21 gusht.

Barry Vinall, hetues i lartë në NCA, tha: “Ky është një nga operacionet më të suksesshme që kemi pasur. Kemi kapur organizatorët, logjistikën, sigurinë dhe klientët – të gjithë pjesë të zinxhirit të trafikut.”

Operacioni Libellary jo vetëm që ndaloi hyrjen e një sasie të madhe kokaine në Mbretërinë e Bashkuar, por gjithashtu zbuloi mënyrën e sofistikuar të veprimit të grupeve të krimit të organizuar ndërkombëtar, të cilat tani përballen me drejtësinë.

Top Channel