Masakër në një bar në SHBA! Katër persona vriten pas një sulmi me armë zjarri në Montana, autori në arrati

02/08/2025 10:24

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e vogël të Anacondës në Montana, SHBA, ku të paktën katër persona humbën jetën pasi një burrë hapi zjarr në një bar lokal.

Departamenti i Drejtësisë së shtetit konfirmoi se i dyshuari për këtë akt të rëndë është Michael Paul Brown, 45 vjeç, një ish-ushtar që banonte pranë vendngjarjes. Ai është shpallur në kërkim dhe besohet të jetë i armatosur, duke përbërë ende një rrezik për publikun.

Autoritetet deklaruan se shtëpia e tij u kontrollua nga një ekip i specializuar SWAT, por pa rezultat. Sipas raportimeve, Brown është parë për herë të fundit në zonën malore të njohur si Stump Town, në perëndim të qytetit.

Anaconda, një qytet me rreth 9,000 banorë dhe i vendosur rreth 120 kilometra në juglindje të Missoula-s, është themeluar në fund të shekullit të 19-të nga industrialistë të bakrit. Ngjarje të tilla janë të rralla në këtë komunitet të qetë, dhe kjo masakër ka shkaktuar tronditje të thellë mes banorëve.

Policia dhe agjencitë federale janë në ndjekje të të dyshuarit dhe vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e këtij krimi të rëndë. Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin zonën ku mund të fshihet autori dhe të raportojnë çdo informacion të mundshëm.

Top Channel