Kosova në NATO me ndihmën e SHBA? Osmani pret zyrtarin e lartë amerikan të Mbrojtjes, i kërkon mbështetje

02/08/2025 22:59

“Kur Amerika qëndron përkrah Kosovës, ajo është “më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar”, kështu u shpreh presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi të zhvilluar me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Mbrojtjes David Baker, të cilit i ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën-Veriatlantike. 

“Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-së në këtë proces është jetike”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera presidentja Osmani.

Baker që vizitoi Kosovën për herë të parë u prit edhe nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Zyrtari i lartë amerikan u takua gjithashtu edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani.

Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësinë më të mirë të mbështetjes së angazhimit politik në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Baker e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë”, sipas një njoftimi të KFOR-it.

Top Channel