
Një ish-yll pornografik do të bëhet ministri i ri i barazisë në Kolumbi, një zgjedhje e diskutueshme mes një vale ndryshimesh në qeverinë e majtë të Presidentit Gustavo Petro.
Juan Carlos Florian – i cili ka pranuar publikisht se ka ofruar shërbime seksuale në të kaluarën dhe ka qenë krijues përmbajtjesh pornografike – është emëruar në këtë ministri, e cila u krijua në vitin 2023 për të garantuar aksesin në programet sociale për grupet vulnerabël, tha një zyrtar i qeverisë kolumbiane për AFP-në.
Krijimi i një ministrie barazie ishte një premtim fushate nga Zëvendëspresidentja Francia Márquez, gruaja e parë me ngjyrë që mbante këtë pozicion në historinë e Kolumbisë.
Francia Márquez ishte emëruar në krye të ministrisë së barazisë, por dha dorëheqjen në shkurt për shkak të mosmarrëveshjeve me presidentin kolumbian, duke e akuzuar atë për “racizëm” brenda qeverisë. Ajo u pasua nga Carlos Rosero, i cili më vonë u akuzua nga Presidenti Petro se po përpiqej të shkarkonte nënsekretarin e atëhershëm Juan Carlos Florian. Rosero u akuzua gjithashtu për shkarkimin e një zyrtari që ishte gjithashtu një ish-aktore pornografike.
Gustavo Petro, i cili u zgjodh president i Kolumbisë në qershor 2022, e paraqiti ministrin e ri të barazisë si një “aktor pornografie” që punoi me të kur ai ishte kryetar i bashkisë së Bogotës dhe kishte krijuar një “sindikatë të punonjësve të seksit” në Francë, ku jetoi për një kohë. Florian dhe të tjerë më pas “u dëbuan nga Parisi”, pretendoi ai.
“Isha më shumë sesa thjesht një aktor pornografie”, i tha Juan Carlos Florian gazetës El Espectador në janar, pas trazirave për emërimin e tij si nënsekretar. “Kam më shumë se 20 vjet përvojë profesionale në organizata të ndryshme ndërkombëtare bashkëpunimi dhe kam mbajtur poste publike”, theksoi ai.
“Puna seksuale është një punë si çdo tjetër dhe nuk mund t’i sulmosh ata që e praktikojnë atë” dhe “të mbështesësh familjet e tyre në këtë mënyrë”, shpjegoi Florian, duke shtuar se e konsideron veten “anëtar të klasës punëtore”.
Top Channel