
Kur u pyet nëse ka ndërmend t’i japë një falje presidenciale reperit Diddy, Donald Trump nuk dha një përgjigje të qartë. Edhe pse nuk u shpreh veçanërisht pozitiv për këtë mundësi, ai nuk e përjashtoi plotësisht një falje të mundshme.
Presidenti amerikan dha një intervistë të premten, më 1 gusht, për Rob Finnerty në emisionin “Finnerty” në Newsmax, ku diskutoi mbi raportet e fundit që flasin për një falje të mundshme për Diddy. Reperi është dënuar për dy akuza për transportim personash me qëllim prostitucioni, ndërsa është liruar nga akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe krijim të një organizate kriminale. Shpallja e dënimit është planifikuar për datën 3 tetor, ndërkohë që avokatët e tij po përgatiten për apel.
Kur Finnerty e pyeti Trumpin nëse do ta falte Diddy-n, ai u përgjigj se dikur kishte qenë “shumë miqësor” me të dhe se “shkonim mirë, dukej si një djalë i mirë”. Megjithatë, më pas Trump sqaroi se nuk e njihte mirë personalisht dhe shtoi se, kur ai kandidoi për president, Diddy ishte “shumë armiqësor” ndaj tij.
Donald Trump Discusses Whether He Will Pardon Diddy, See The Video https://t.co/bxvLVyz6RR pic.twitter.com/49EhCZ5z9S
— TMZ (@TMZ) August 2, 2025
Trump pranoi se qëndrimi ambivalent i Diddy-t ndaj tij mund të ndikojë në gjykimin për një falje të mundshme: “Armiqësia e tij mund të na turbullojë gjykimin,” – tha ai. Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk është paraqitur ende një kërkesë zyrtare për falje dhe se Shtëpia e Bardhë nuk komenton nëse një kërkesë e tillë po merret në shqyrtim.
Që në maj të vitit të kaluar, Trump kishte deklaruar publikisht se do të shqyrtonte mundësinë e dhënies së faljes:
“Do të isha i interesuar për faktet, veçanërisht nëse mendoj se dikush është trajtuar padrejtësisht, pavarësisht nëse më pëlqen apo jo.”
Në të kaluarën, Trump e ka quajtur Diddy-n një “mik të mirë” dhe e ka mbështetur publikisht, përfshirë edhe në emisionin e tij “The Apprentice”. Megjithatë, marrëdhëniet mes tyre u ftohën pas mbështetjes së Diddy-t për Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020.
Diddy ndodhet në paraburgim që nga shtatori i vitit 2024. Pavarësisht përpjekjeve të shumta nga mbrojtja për lirimin me kusht — përfshirë edhe një garanci prej 50 milionë dollarësh — gjykata i ka refuzuar kërkesat. Pas një gjyqi tetë-javor, me dëshmi nga ish-partnerë, punonjës, eskorta dhe oficerë policie, juria e shpalli fajtor më 2 korrik vetëm për akuzën e transportimit për prostitucion, duke konstatuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për akuzat më serioze.
Diskutimi për një falje të mundshme ndaj Diddy-t po zhvillohet në një kohë kur administrata Trump është nën presion të madh për shkak të dosjeve ende të pazbuluara që lidhen me Jeffrey Epstein, një ish-mik i Trump. Kjo çështje ka shkaktuar reagime të forta brenda lëvizjes MAGA dhe së fundmi Trump ka ndërmarrë një padi 10 miliardë dollarëshe kundër Rupert Murdoch.
Top Channel