Foto/ Broja i jep lamtumirën Chelsea-t pas 16 vitesh, tifozët e “Bluve” bëhen emocionalë në rrjetet sociale: Nuk do të harrojmë kurrë

02/08/2025 09:14

Pas plot 16 vitesh të kaluar te Chelsea, sulmuesi shqiptar Armando Broja ka mbyllur zyrtarisht aventurën me “Blutë” e Londrës.

Futbollisti 23-vjeçar ka vendosur të firmosë me skuadrën e Burnley-t, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij në Premier League.

Broja i është bashkuar akademisë së Chelsea që në moshën 7-vjeçare, duke kaluar në të gjitha grupmoshat dhe duke debutuar me ekipin e parë në vitin 2020. Gjatë këtyre viteve, ai u huazua edhe te ekipe si Vitesse, Southampton, Fulham dhe Everton duke fituar eksperiencë të vyer në elitën e futbollit anglez.

Edhe pse largimi i tij ka lënë një boshllëk emocional te disa tifozë, shumica e mbështetësve të Chelsea-t kanë reaguar pozitivisht në rrjetet sociale, duke i uruar Brojës suksese në aventurën e re. Shumë prej tyre theksojnë se do të mbetet gjithmonë një “produkt i akademisë”, ndërsa e vlerësojnë për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar ndër vite.

Transferimi te Burnley pritet t’i japë Brojës më shumë minuta dhe stabilitet, në një skuadër ku ai mund të jetë protagonist absolut. Kalimi i tij është konsideruar si një hap i rëndësishëm për të rigjetur formën më të mirë, një gjë kjo që mund ta ndihmojë dhe me Kombëtaren shqiptare.

Me këtë lëvizje, mbyllet një epokë e gjatë për Brojën te Chelsea, por nis një sfidë e re, në të cilën sytë do të jenë të gjithë mbi të.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel