Veliaj në spital i shoqëruar nga 30 efektivë policie, Avokati i Popullit nis verifikimin! Komisioneri Ahmet Prençi në paraburgimin e Durrësit

01/08/2025 12:34

A i janë shkelur apo jo të drejtat në burg  kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj?

Me këtë pyetje Ahmet Prenci,komisioneri kundër torturës pranë avokatit të popullit ka nisur verifikimet në burgun e Durrësit jo vetëm për të paraburgosurin VIP por edhe për të tjerë, qofshin ata ish funksionarë apo qytetarë të thjeshtë.

Por intervistimi i kryebashkiakut nga Avokati i Popullit, që pritet të reflektohet në një raport përbën lajm mbas pretendimeve se Erjon Veliaj u shoqërua në një spital për kontroll mjekësor nga një numër të lartë gardianësh e për më tepër përmendet se u largua prej këtyre ambienteve ende pa i dalë narkoza. Ky version hidhet poshtë nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve që insiston se ka respektuar çdo të drejtë të Erjon Veliajt, një e vërtetë tashmë do të sqarohet nga Avokati i Popullit.

Veliaj u mor i pandehur pak ditë më parë dhe ju komunikuan akuzat në burg. Nga arrestimi i tij, rrethi i të akuzuarve u zgjerua mes tyre edhe një oficer police marrë i pandehur mbasi i dha telefonin funksionarit lokal, si edhe një numër i lartë shoqërish pa lënë mënjanë edhe deputeten Klodilta Bushka  dyshuar se u përfshi në skenarin për të ibntimiduar dëshmitarët.

Avokatët e Veliaj kanë kërkuar kohë deri në 24 shtator për të bërë prapësimet e tyre, ndërsa raporti për trajtimin e tij në burg nuk do të jetë konfidencial.

Sakaq Altin Dumani pranoi gjatë një takimi informal se veç dosjes Veliaj e të tjerë SPAK ka hapur edhe një fraksion të ri, ende nën shqyrtim.

Top Channel