
Një lajm i dhimbshëm ka tronditur klubin e Bayern Munich dhe botën e futbollit gjerman: portieri 36-vjeçar Sven Ulreich po përjeton një nga momentet më të vështira të jetës së tij pas ndarjes nga jeta të djalit të tij të vogël, Len, vetëm 6 vjeç.
Tragjedia është bërë publike nga vetë Ulreich dhe bashkëshortja e tij Lisa (37), përmes një postimi prekës në rrjetin social Instagram.
“Me trishtim të thellë dëshirojmë të njoftojmë se djali ynë Len ndërroi jetë disa javë më parë pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë”, shkruan çifti, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e fëmijës.
View this post on Instagram
Ulreich, i cili ka edhe një vajzë 9-vjeçare të quajtur Malia, kishte munguar në mënyrë të vazhdueshme në aktivitetet e ekipit që nga tetori i vitit të kaluar, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të djalit të tij.
Ai nuk ka marrë pjesë në ndeshjet jashtë fushe për një periudhë të gjatë, dhe për një kohë ishte përfolur edhe për tërheqje nga futbolli.
Megjithatë, në një vendim që përkon me një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, Ulreich ka vendosur të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës bavareze. Ai ka rinovuar kontratën edhe për një vit tjetër, deri në verën e vitit 2026, duke qenë në dispozicion si portier rezervë pas Manuel Neuer (39) dhe talentit të ri Jonas Urbig (21).
Klubi dhe tifozët kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për familjen Ulreich në këto momente të errëta, duke u bashkuar në dhimbjen për një humbje të parakohshme dhe kaq të thellë.
Top Channel