
Dy fëmijë britanikë, motër dhe vëlla, kanë humbur jetën tragjikisht pas mbytjes në det në brigjet verilindore të Spanjës.
Viktimat janë identifikuar si Ameiya Del Brocco, 13 vjeçe, dhe vëllai i saj 11-vjeçar, Ricardo Junior.
Ngjarja ndodhi të martën gjatë pushimeve familjare në qytetin bregdetar të Salou, në rajonin e Katalonjës. Babai i tyre, Ricardo Senior, u nxor nga uji pa ndjenja, por fatmirësisht arriti të shpëtohej nga shërbimet e emergjencës dhe ndodhet ende në spital.
Familjarët janë shprehur të shkatërruar nga dhimbja. “Maya ishte vajzë e mençur dhe e ndjeshme, ndërsa Jubs ishte i dashur, lozonjar dhe gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë. Ata ishin zemra e familjes sonë dhe mungesa e tyre ka lënë një heshtje të padurueshme,” tha kushërira e tyre, Holly Marquis-Johnson.
Halla e fëmijëve, Kayla Jasvinder Del-Brocco, tregoi për mediat britanike se gjithçka ndodhi në pak minuta. “Shkuan për të notuar bashkë me babanë e tyre, pasi e donin detin. Nëna e tyre i tha ‘mos u vononi’ dhe u largua për pak me fëmijën më të vogël. Kur u kthye, nuk pa më askënd në horizont”, u shpreh halla e tyre.
Autoritetet katalanase konfirmuan se ngjarja ndodhi në plazhin Llarga, pranë Tarragonës, rreth orës 20:45 të së martës. Policia lokale tha se tre persona po përpiqeshin me vështirësi të dilnin nga deti, por për dy fëmijët nuk u mund të bëhej asgjë, pavarësisht përpjekjeve për reanimacion.
“Kur u nxorën nga uji, dy fëmijët nuk kishin shenja jete. U tentua reanimimi me CPR, por pa sukses,” tha shefi i policisë lokale, Jose Luis Gargallo.
Zëdhënës i Zyrës së Jashtme britanike konfirmoi se po mbështesin familjen dhe janë në kontakt me autoritetet lokale në Spanjë.
Një fond është ngritur nga familjarët për të ndihmuar me shpenzimet e kthimit të trupave në Britani.
Top Channel