“Sistemi është i prishur, dua të qëndroj jashtë”/ Kamala Harris larg politikës, nga mënyra si përballoi humbjen te libri me ‘sekretet’ e fushatës

01/08/2025 21:36

Ish-nënpresidentja Kamala Harris, e cila mori drejtimin e fushatës presidenciale demokrate pas tërheqjes së Joe Biden në vitin 2024, aktualisht nuk ka në plan të rikthehet në skenën politike amerikane.

Në një intervistë në “The Late Show with Stephen Colbert”, Harris u shpreh se “sistemi është i prishur” dhe se për momentin dëshiron të qëndrojë jashtë tij.

Kjo ishte intervista e saj e parë publike pas humbjes ndaj Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024. Harris, e cila vetëm një ditë më parë kishte përjashtuar mundësinë për të kandiduar për guvernatore të Kalifornisë, u shpreh se vendimi i saj lidhej më shumë me gjendjen aktuale të sistemit politik sesa me ndonjë ambicie të re elektorale.

Së fundmi mora vendimin që, për tani, nuk dua të kthehem në sistem. Mendoj se ai është i prishur”, tha ajo përballë publikut në studio, i cili reagoi me një pasthirrmë zhgënjimi.

“Gjithmonë kam besuar se sistemet tona do të ishin mjaft të forta për të mbrojtur parimet më themelore demokratike. Por tani mendoj se nuk janë aq të forta sa duhet”, shtoi Harris.

Gjatë intervistës, Harris kritikoi administratën e dytë të Trump, të cilën e quajti “agresive”. Ajo theksoi se, ndonëse kishte parashikuar disa nga veprimet më të diskutueshme të Trump, si shkurtime në Medicaid, shpërfilljen e gjykatave dhe uljet masive të taksave për të pasurit, nuk e kishte parashikuar atë që ajo e quajti “kapitullimi moral dhe institucional”.

Ndoshta ishte naive nga ana ime… por prisja më shumë qëndresë nga ata që e konsiderojnë veten mbrojtës të sistemit tonë. Kjo dorëzim i përgjithshëm më tronditi më shumë se çdo gjë tjetër“, tha Harris.

Një rikthim i mundshëm në 2028?

Megjithëse Harris la të kuptohej se nuk ka plane të menjëhershme për t’u rikthyer në politikë, ajo nuk përjashtoi përfundimisht një kandidim të mundshëm në të ardhmen, përfshirë zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Aktualisht, Harris është e fokusuar në promovimin e librit të saj të ri, “107 Days”, që do të publikohet muajin e ardhshëm. Libri përshkruan periudhën më të shkurtër të një fushate presidenciale në historinë amerikane dhe ofron një pasqyrë të jetës së brendshme të një kandidature të përshpejtuar dhe plot tension.

Dua të udhëtoj nëpër vend, të dëgjoj njerëzit. Dua të dëgjoj, jo të kërkoj“, u shpreh ajo.

Harris tregoi gjithashtu se i është dashur kohë për të përballuar humbjen dhe se për muaj të tërë nuk ka ndjekur lajmet. “Nuk jam nga ata që vetëlëndohen“, tha ajo me humor, duke shtuar se për një kohë të gjatë është relaksuar duke ndjekur emisione gatimi, me të preferuarin “The Kitchen”.

Intervista me Colbert vjen në një moment simbolik, pak pasi The Late Show u anulua nga CBS, një vendim që shumë e kanë parë si politik. Edhe pse Harris dhe Colbert shmangën diskutimin e drejtpërdrejtë për këtë, prania e saj në program ishte një deklaratë në vetvete, thotë “The Guardian”.

Top Channel