
I dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, u takua të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përpara vizitës së tij në Gaza, ku do të inspektojë shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Takimi vjen në një kohë kur kriza e thellë e ushqimit në Gaza po rrit presionin ndërkombëtar për një armëpushim.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Witkoff, i cili kishte vizituar Gazën edhe në janar, do të inspektojë vendet e shpërndarjes së ndihmave dhe do të sigurojë një plan për dërgimin e më shumë ushqimeve, si dhe do të takohet me banorët për të dëgjuar situatën nga afër.
Në Jerusalem, ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul u takua gjithashtu me Netanyahu dhe deklaroi se “katastrofa humanitare në Gaza është përtej çdo imagjinate”. Ai bëri thirrje që qeveria izraelite të veprojë me shpejtësi dhe efektivitet për të ofruar ndihma humanitare dhe mjekësore, duke parandaluar një katastrofë urie masive.
Ndërkohë, situata në terren mbetet kritike: Agjencia civile e mbrojtjes së Gazës raportoi se të paktën 58 palestinezë u vranë të mërkurën vonë, kur forcat izraelite qëlluan mbi një turmë që përpiqej të bllokonte një konvoj ndihmash.
Top Channel