Ish-anëtari i Maroon 5 në telashe, bashkëshortja e akuzon për dhunë në familje dhe abuzim ndaj një të mituri

01/08/2025 20:55

Ish-anëtari i Maroon 5, Mickey Madden, po përballet me akuza serioze për dhunë në familje dhe kontakt të papërshtatshëm me një të mitur, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura nga bashkëshortja e tij, Kate Bowman.

Në kërkesën e saj për një urdhër mbrojtjeje, Bowman pretendon se më 21 korrik mori një paralajmërim anonim për komunikimin online të muzikantit 46-vjeçar me vajza të mitura, që përfshinte fantazi përdhunimi dhe dërgimin e fotove provokuese.

Kur ajo e përballi për këtë, Madden u bë agresiv: e shtyu në banakun e kuzhinës, e nxori jashtë shtëpisë në Los Angeles dhe e ndoqi duke e shtyrë disa herë, përfshirë pas një muri me tulla.

“Unë nuk e njoha burrin tim atë ditë”, ka shkruar Bowman në deklaratë, duke e përshkruar episodin si traumatizues.

Pas incidentit, ajo u strehua te një mike, ndërsa Madden i ka dërguar më pas letra dhe mesazhe faljeje, duke thënë se do të futej në një qendër rehabilitimi për varësi seksuale.

Gjykata refuzoi kërkesën që ai të largohej menjëherë nga shtëpia, por caktoi një seancë dëgjimore për më 20 gusht. Bowman kërkon gjithashtu mbështetje financiare, kujdestarinë e dy qenve të çiftit dhe ndihmë për fëmijët e tyre.

Madden, i cili u largua nga Maroon 5 në vitin 2020 pas një arrestimi për dhunë në familje, nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave.

Ai ka pasur probleme me ligjin edhe më parë, përfshirë një arrestim për posedim kokaine në vitin 2016./ TAR

Top Channel