Google sfidon Antropikën me IA ‘të Përballueshme’ për Sigurinë Kibernetike, Gemini 3.5 Flash Cyber së shpejti në dispozicion për partnerë të zgjedhur
Një shtetas argjentinas fitoi një betejë ligjore kundër gjigantit të teknologjisë Google, pasi u fotografua nudo në oborrin e tij dhe më pas u postua në Google Street View.
Edhe pse padia e ngritur nga burri i paidentifikuar përfundoi vetëm së fundmi, incidenti daton që nga viti 2017, kur një makinë e Google Street View kaloi nëpër Bragado, një qytet i vogël argjentinas rreth 200 kilometra larg Buenos Aires, pikërisht kur një burrë vendas ishte krejtësisht nudo në pronën e tij.
Fotot e bëra nga sistemi i avancuar i kamerave të makinës e kapën atë nga pas, duke treguar të pasmet e tij dhe edhe pse fytyra e burrit nuk ishte e dukshme, adresa shumë e qartë e rrugës në fotografi e bëri atë objekt talljeje të qytetit. I lodhur duke duruar talljet, burri e çoi Google në gjykatë për shkelje të privatësisë së tij. Një gjykatë e shkallës së parë e rrëzoi padinë vitin e kaluar, duke vendosur se burri argjentinas ishte përgjegjës për situatën sepse ai po “ecte në kushte të papërshtatshme në oborrin e tij”, por në apel, gjykata vendosi në favor të paditësit, duke argumentuar se Google kishte “ndërhyrë” në sferën private të paditësit, “duke minuar dinjitetin e tij”.
Kompania e teknologjisë pretendoi se gardhi i burrit ishte shumë i ulët për të mbrojtur lakuriqësinë e tij, por një hetim zbuloi se muri ishte mjaftueshëm i lartë, kështu që ky argument u hodh poshtë. “Askush nuk dëshiron t’i duket botës ashtu siç e krijoi Zoti”-thuhej në vendim, duke shtuar se Google ishte plotësisht e vetëdijshme për detyrimin e saj për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, siç dëshmohet nga politika e turbullimit të fytyrave dhe targave në Google Street View.
Megjithatë, në këtë rast, numri i qartë i rrugës i dukshëm në platformë e bëri shumë të lehtë identifikimin e burrit të zhveshur. Dhoma Kombëtare e Apelit Civil të Buenos Airesit ka urdhëruar Google t’i paguajë paditësit 16 milionë peso, ose mbi 12,000 euro, në kompensim për dëmet në dinjitetin e tij.
Top Channel