
Një natë para nisjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, superylli i muzikës Dua Lipa është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Këngëtares me famë ndërkombëtare dhe që ka rrëmbyer shumë zemra, me dekret presidencial, i është dhënë shtetësia e Republikës së Kosovës.
Presidentja e cilësoi nder të veçantë që me dekret presidencial i dha shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit.
“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit.
Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tone. Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!“-është shprehur Osmani.
Top Channel