
Atalanta ka refuzuar ofertën e Interit për sulmuesin Ademola Lookman, pavarësisht se drejtuesit zikaltër kishin ofruar 45 milionë euro, përfshirë bonuse.
Përgjigja negative u konfirmua përmes një e-maili drejtuar presidentit të Interit, Giuseppe Marotta, ku klubi bergamask shprehte “mospranimin e ofertës së sjellshme”.
Megjithëse Interi kishte arritur marrëveshje personale me lojtarin deri në vitin 2030, me një pagë prej 4.5 milionë euro neto në sezon, Atalanta nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj.
Marotta kishte lënë të kuptohej ditë më parë se negociatat nuk do të zgjatnin shumë: “Lookman është një profil interesant, por jo i vetmi. Brenda 2-3 ditëve do të mbyllim bisedimet me Atalantën. Nëse ka kushte, mirë, përndryshe do ndjekim një tjetër pistë”.
Reagimi i Lookman: “Unfollow” dhe fshirje fotosh
Refuzimi i Atalantës duket se nuk është pritur mirë nga vetë Lookman.
Sulmuesi nigerian reagoi menjëherë duke fshirë nga Instagram të gjitha fotot me fanellën e Atalantës, përfshirë edhe përshkrimin “lojtar i Atalantës” nga biografia. Ai gjithashtu ndaloi së ndjekuri profilin zyrtar të klubit bergamask – një sinjal i qartë i pakënaqësisë së tij ndaj klubit.
Sipas drejtuesve të Atalantës, kjo nuk është hera e parë që 26-vjeçari kërkon largimin. Drejtori Luca Percassi deklaroi pak ditë më parë se “Lookman ka kohë që ka shprehur dëshirën për t’u larguar”. Edhe sezonin e kaluar, kur PSG u interesua për të, ai kishte kërkuar të mos grumbullohej për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Lecce, për “arsye merkatoje”.
Aktualisht, Lookman nuk është i grumbulluar për miqësoren ndaj Leipzigut për shkak të një shqetësimi në pulpë, por tensioni me klubin është i dukshëm. Lojtari kërkon kalimin në një ekip të madh si Interi, ndërsa Atalanta vazhdon të qëndrojë e palëkundur – për momentin.
Top Channel