Alejandro Garnacho “tradhton” Manchester United, talenti argjentinas kërkon me ngulm transferimin te rivalët e “Djajve të Kuq”

01/08/2025 13:02

Një zhvillim që pritet të trazojë jo pak kampin “Djajve të Kuq”, Alejandro Garnacho po shihet gjithnjë e më shumë si “tradhtari” i radhës në “Old Trafford”.

Mediat britanike raportojnë se talenti argjentinas është ende i vendosur për t’u transferuar te Chelsea, pavarësisht interesit në rritje nga klube jashtë Anglisë.

Sipas burimeve të afërta me lojtarin, Garnacho e kishte prioritet kalimin te “blutë” që në merkaton e janarit dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar as në prag të muajit të fundit të merkatos verore.

Chelsea pritet të bëjë një ofertë konkrete për 21-vjeçarin gjatë këtij muaji, ndërsa vetë lojtari është në pritje të lëvizjes londineze, duke injoruar ofertat nga jashtë Premier League.

Kjo situatë vjen në një kohë kur Garnacho shihej si një nga pikat kyçe për ndërtimin e së ardhmes së Manchester United, pas sezonit të fundit ku spikati me paraqitje dhe gola të rëndësishëm. Por interesimi i Chelsea-t dhe vullneti i vetë lojtarit për të ndërruar fanellë mund të përshpejtojnë një largim të bujshëm nga “Old Trafford”.

Nëse transferimi konkretizohet, Garnacho do të bëhej një nga lëvizjet më të diskutueshme të kësaj merkatoje – jo vetëm për vlerën e mundshme të kartonit, por edhe për faktin se do të kalonte nga një rival historik te një tjetër në Premier League.

Top Channel