Video/ Supergol nga mesfusha, ylli i Tottenham “shtang” rivalët e përjetshëm të Arsenalit në miqësore

31/07/2025 16:20

Pape Matar Sarr realizoi një gol spektakolar nga gjysma e fushës për t’i dhënë avantazhin Tottenhamit në miqësoren kundër Arsenalit të zhvilluar në Hong Kong.

Mesfushori senegalez 22-vjeçar përfitoi nga një gabim i anglezit Myles Lewis-Skelly, të cilit ia rrëmbeu topin pak brenda gjysmës së Arsenalit, pak para përfundimit të pjesës së parë.

Me gjakftohtësi dhe vizion, Sarr lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e befasuar portierin David Raya, i cili nuk kishte asnjë mundësi reagimi.

Topi i goditur në mënyrë të sheshtë dhe precize përfundoi në rrjetë, duke ngritur peshë stadiumin Kai Tak, në një nga momentet më të veçanta të kësaj ndeshjeje përgatitore.

Arsenali kërkoi faull në aksionin që parapriu golin, duke pretenduar një shtyrje nga Richarlison ndaj Lewis-Skelly, por gjyqtari lejoi lojën të vazhdonte.

Goditja e Sarr konfirmoi nofkën që ai kishte fituar që në fëmijëri — “Roberto Carlos” — falë fuqisë dhe saktësisë së tij nga distanca.

Goli i Sarr u bë menjëherë viral në rrjetet sociale, me shumë tifozë që lavdëronin mjeshtërinë e tij, ndërsa të tjerë i drejtonin gishtin David Rayas për vendosjen e tij të çuditshme në fushë.

Top Channel