
Lajmi se Liam Neeson dhe Pamela Anderson janë çift ka bërë xhiron e rrjeteve sociale orët e fundit, me fansat e dy aktorëve që shprehin entuziazmin e tyre në rrjetet sociale.
Neeson dhe Anderson u afruan gjatë xhirimeve të filmit “The Naked Gun”, në të cilin ata luajnë bashkë, duke zhvilluar një lidhje romantike.
Sapo marrëdhënia e tyre u bë e ditur përmes një artikulli të PEOPLE, të shumtë ishin ata në rrjetet sociale që folën për një çift shumë të bukur, duke theksuar se si Pamela Anderson pas marrëdhënies së saj abuzive me Tommy Lee, ashtu edhe Liam Neeson, i cili përjetoi humbjen e gruas së tij, Natasha Richardson, në vitin 2009, meritojnë të jenë të lumtur.
Komentet në rrjetet sociale
Disa nga komentet që përmbytën X ishin si më poshtë: “Ata po shkojnë mirë. Ata meritojnë lumturi”, “Nuk e di pse, por kjo më solli një buzëqeshje në fytyrë”, “Një çift i sofistikuar dhe i bukur, nëse kjo është e vërtetë”, “Ky është një çift që unë mund ta mbështes vërtet”, “Të dy meritojnë të jenë të lumtur. Zoti i bekoftë”, “Ata janë një çift shumë i bukur”, “Shpresoj të martohen ose çfarëdo qoftë dhe të plaken së bashku. Jam shumë e lumtur për ta”, “Ata po shkojnë mirë! Gjithmonë kam dashur që ai të jetë i lumtur pasi Natasha ndërroi jetë”.
Të martën, më 29 korrik, Pamela Anderson dhe Liam Neeson u intervistuan në emisionin Today për të promovuar filmin e tyre. Prezantuesi Craig Melvin nuk hezitoi t’i pyeste: “Jeni të dy beqarë tani? A ka një kimi të qartë në film? Jeni bashkë?” Edhe pse pyetja ishte e thjeshtë, përgjigjet ishin të paqarta. “Nuk e kuptoj pyetjen”, u përgjigj Anderson me një ton të shkujdesur, ndërsa Neeson reagoi me indinjatë të rreme.
Pati një moment të shkurtër sikleti përpara se aktori 73-vjeçar të përgjigjej me më shumë qartësi – megjithëse pa zbuluar shumë. “Nuk e kisha takuar kurrë më parë Pamelën. U takuam në shesh xhirimi dhe zbuluam se kishim një kimi të shkëlqyer, në zhvillim e sipër – si dy aktorë. Le të mos e detyrojmë, le ta lëmë të marrë frymë këtë ndjesi. Dhe kjo është ajo që bëmë “, theksoi ai.
Melvin vazhdoi duke thënë: “Pra, ajo që po shohim tani është fillimi i një marrëdhënieje në zhvillim e sipër”, ndërsa para se të mbaronte intervista, ai u sigurua të shtonte: “Duam që të ktheheni këtu kur lidhja juaj të jetë zyrtare”.
Gjatë shfaqjes, dy aktorët madje bënë sikur ishin “kapur” duke u puthur në publik, në një moment humoristik.
Top Channel