
Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick ka dhënë sinjale të forta në prag të sezonit të ri, duke regjistruar fitoren e parë bindëse në këtë fazë përgatitore.
Në ndeshjen miqësore të zhvilluar në “Seoul World Cup Stadium”, katalanasit mposhtën me rezultatin spektakolar 3-7 ekipin vendas FC Seoul, duke ndarë sërish formacionin në dy pjesë të ndryshme siç ndodhi edhe në testin ndaj Vissel Kobe.
Në pjesën e parë, që u konsiderua paksa më “titullare”, Barcelona dominoi me lojtarë si Pedri, Frenkie de Jong dhe një Lamine Yamal në super formë. Talenti i ri shënoi dy gola, goditi shtyllën dhe asistoi indirekt për golin e Lewandowskit që përfitoi nga ajo goditje. Yamal ishte i papërmbajtshëm në krah, duke elektrizuar publikun që reagoi me entuziazëm pas çdo prekje të tij.
Megjithatë, pas një fillimi të furishëm, katalanasit ranë në ritëm dhe kjo u ndëshkua nga FC Seoul, që përfitoi nga një humbje topi e Yamal dhe disa gabime në mbrojtje për të barazuar përkohësisht në 2-2, me golat e Young-Woo Cho dhe Yazan Al-Arab. Por pak çaste para fundit të pjesës së parë, Yamal riktheu avantazhin me një tjetër perlë personale, duke e çuar rezultatin në 2-3.
Pjesa e dytë solli një Barcelonë më kompakte dhe më konstante në performancë. Ferran Torres, i rikthyer në qendër të vëmendjes, realizoi dy gola duke treguar instinkt të mirë për golin. Christensen dhe Gavi shtuan nga një gol secili, me të fundit që mbante edhe shiritin e kapitenit.
Nga ana tjetër, Seoul arriti të realizojë një gol tjetër përmes Han-Min-Yung në një kundërsulm, por nuk pati më forcë për të rihapur ndeshjen. Mbyllja erdhi me golin e dytë personal të Ferran, që vulosi rezultatin 3-7 për Barcelonën.
Trajneri Flick bëri disa rotacione të rëndësishme. Në pjesën e parë, Lewandowski mori vendin e Ferran Torres në majë të sulmit, ndërsa në të dytën Gavi, Casadó dhe Fermín formuan mesfushën. Mbrojtja pati konfigurime eksperimentale, me Gerard Martín në qendër dhe Hèctor Fort në të djathtë.
Joan Garcia, portieri i ri i aktivizuar në këtë fazë përgatitore, pësoi sërish gola të vështirë për t’u ndalur, por vlerësohet për pozicionimin dhe përkushtimin.
Barcelona i mbyll kështu dy testet e para në Azi me dy fitore dhe një total prej 11 golash të shënuar. Yamal konfirmon statusin e “yllit të ardhshëm”, ndërsa Flick duket se po ndërton një skuadër me thellësi dhe alternativa të shumta.
Top Channel