
Një burrë që mori pjesë në një udhëtim me një anije nudiste po ndan përvojën e tij të pazakontë dhe alternative për të kaluar pushimet – pa rroba, por me rregulla të rrepta higjienike.
Në një postim në Reddit, pasagjeri ofron një përshkrim të qartë se si është të jetosh lakuriq për disa javë në një anije turistike me rreth 2,000 persona të tjerë – dhe pse e konsideron këtë një përvojë “të mahnitshme”.
Udhëtimi është organizuar nga kompania amerikane Bare Necessities, e njohur për kroçerat e saj të specializuara nudiste. Biletat nisin nga 2,000 euro për vendet më të lira dhe shkojnë deri në 29,000 euro për ato më luksozet.
Kompania merr me qira anije të mëdha turistike si Holland America ose Celebrity Cruises, të cilat më pas i transformon në kroçera të plota nudiste.
Destinacionet më të zakonshme janë Karaibet, por kroçera të tilla organizohen edhe në Meksikë, Tonga, Tahiti, Mesdhe dhe vende të tjera ekzotike. Udhëtimet zakonisht zgjasin dy deri në tre javë.
Sipas pasagjerit, përvoja nuk është aspak erotike në natyrë.
“Është një udhëtim nudist, jo seksual. Të gjithë pasagjerët janë pa rroba, ndërsa ekuipazhi është i veshur,” shpjegon ai.
Ai shton se shumica e pasagjerëve janë të moshës 50 deri në 70 vjeç, dhe se “nuk janë veçanërisht tërheqës, megjithëse kishte disa përjashtime.” Edhe pse kishte disa të rinj, ata ishin pak në numër.
Për udhëtimin e tij, ai pagoi rreth 2,200 euro dhe nuk u pendua aspak.
“Moti ishte i shkëlqyer, ndalesat në plazhe dhe peizazhet ishin magjike, ndërsa ndjesia e lirisë që të jep nudizmi është e papërshkrueshme,” tha ai.
“Të jep mundësinë të bësh shumë gjëra argëtuese lakuriq – plazhe, resorte, vallëzim, bare, etj.”
Edhe pse pasagjerët janë nudo, pastërtia dhe higjiena janë prioritet.
“Askush nuk ulet në kuvertën e anijes pa peshqir,” shpjegon ai, duke theksuar se nudistët janë shpesh më të kujdesshëm se popullsia e përgjithshme.
Sa i përket mbrojtjes nga dielli:
“Vendos aq krem sa do të përdorje zakonisht – dhe pak më shumë,” thotë ai me humor.
Në lidhje me ushqimin, disa restorante në anije kërkojnë që klientët të jenë të veshur për të ngrënë. Megjithatë, përvoja e të ngrënit nudo, edhe pse “pak e çuditshme”, është pjesë e aventurës.
Pse dikush do të zgjidhte të kalonte pushimet lakuriq në një anije plot të huaj?
Përgjigjja e pasagjerit është e qartë: “Sepse është një përvojë unike dhe çliruese. Ndihesh mirë kur je lakuriq, ashtu siç ndihet mirë për një burrë të jetë pa bluzë në plazh. Të notosh lakuriq është fantastike. Të jesh lakuriq në disa nga plazhet më të bukura në botë është fantastike.”
Top Channel