“Pasuria më e çmuar është jeta”, ish-trajneri i Interit rrëfen se si rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar dy vajza që po mbyteshin

31/07/2025 13:35

“Njëra nga dy vajzat ishte në gjendje shoku, mendonte se do të vdiste. Pasuria më e çmuar për të gjithë është jeta, dhe kjo duhet mbajtur mend”, këto ishin fjalët e ish-trajnerit të Interit pasi iu shpëtoi jetën dy vajzave në bregdetin italian.

Motoja e Andrea Stramaccionit vjen nga Shtetet e Bashkuara. “That others may live” – “Që të tjerët të mund të jetojnë”, motoja e njësive speciale të Rojës Bregdetare Amerikane.

Më 28 korrik, ai nxori nga deti dy vajza nga Bolzano, 17 dhe 19 vjeç, dhe u nderua nga Roja Bregdetare Italiane me një bluzë simbolike, atë të kuqe të rojeve të plazhit. Stramaccioni ndodhej me pushime me familjen në Gargano, të Puglias, kur papritmas ndjeu se po ndodhte diçka e çuditshme pranë bregut.

“Isha nën çadër së bashku me gruan dhe fëmijët e mi. Papritur, në largësi, njerëzit filluan të grumbulloheshin pranë bregut. Një nga rojet e plazhit ishte në ujë dhe fishkëllente për të tërhequr vëmendjen. Dy vajza po përpëliteshin dhe bërtisnin. U ngrita menjëherë dhe u nisa me nxitim drejt ujit. E ndjeva menjëherë rrezikun. Rojet e plazhit nuk do t’ia dilnin vetëm”, tha Stramaccioni.

“Nuk jam hero apo ndonjë njeri i jashtëzakonshëm, përkundrazi, në një moment mendova se do të ndodhte edhe më e keqja për mua. Por si dikush me karakteristika fizike dhe mendore të përshtatshme për një situatë të tillë, ndjeva se duhej të ndërhyja”, theksoi Stramaccioni.

Forma gjeografike e gjirit nuk e bëri të lehtë shpëtimin.

“Kohët e fundit, deti ka qenë gjithmonë i trazuar. Plazhi mbaron me dy skaje shkëmbore ku përqendrohen dallgët më të mëdha. Aty ku përplasen bëhen më të dhunshme. Vajzat ndodheshin pikërisht aty. Rojet hynë në ujë pa asgjë, as me rrathë shpëtimi, as me litarë, si unë. Më tha të shkoja te vajza e parë, ajo më e madhe, ndërsa ai do të shkonte te tjetra. Sapo e pashë, më tha se kishte frikë. Uji ishte i thellë, dallgët të fuqishme. I thashë të qetësohej, të qëndronte në shpinë dhe se për pesë minuta gjithçka do të mbaronte. Dhe ashtu ndodhi”, tha ish-trajneri i Interit.

“Sapo arritëm një zonë më të sigurt pranë bregut, u ktheva të shikoja se ku ishte roja me vajzën tjetër. Ajo ishte në gjendje shoku. Rojet nuk po arrinin ta ndihmonin, kështu që u ktheva menjëherë. Situata e vajzës më të re ishte e dëshpëruar, zhdukej nën ujë, dilte përsëri dhe kishte pirë shumë ujë. Ndërkohë, anija e shpëtimit kishte marrë rojen dhe po përpiqej të arrinte te ne, por ishim shumë pranë shkëmbinjve. Nga shkëmbinjtë filluan të na hidhnin litarë, por nuk arrinin dot. Fillova të kem frikë, sidomos sepse vajza më tërhiqte drejt thellësisë. Ishte e bindur se do të vdiste”, tha ai.

Ish-trajneri i Interit tregoi se si shpesh herë e kapte frika, por gjithsesi shtoi se arriti të ruajë gjakftohtësinë.

“I kërkova të më dëgjonte dhe të më besonte. Kishte vetëm një mënyrë për të dalë, të hynte në një çarje të vogël midis shkëmbinjve. E kapa dhe e ‘hodha’ aty, ndërsa unë përfundova nën ujë. Më pas, kur dola sërish në sipërfaqe, humba orientimin dhe u përplasa me shkëmbinjtë. Pastaj njerëzit më hodhën një litar dhe arrita të ngjitesha, duke u lënduar në krahë dhe këmbë. Vajza ishte e sigurt, por këtë e mësova vetëm kur arritëm në breg. Nxora një psherëtimë lehtësimi”, shpjegon Stramaccioni.

“Djali im më pyeti: ‘Babi, po sikur të kishe vdekur?’. E bëra sikur në ujë të kishte qenë gruaja ime ose një nga fëmijët. Ajo zonë, gjithsesi, është e rrezikshme. Nuk duhet të tregohemi të pakujdesshëm”, tha ai.

Vajzat e falënderuan Stramaccionin dhe më pas u kthyen në Trentino-Alto Adige.

“Nuk jam hero, por ato vajza do të ishin mbytur dhe roja i vetëm, me atë det, nuk do t’ia kishte dalë. Nuk mendova dy herë dhe u hodha. E tregoj këtë histori që kush e lexon, ta mbajë mend pasuria më e çmuar është jeta”, përfundon Stramaccioni.

 

Top Channel