Nga milionat te shtëpitë luksoze, çfarë përmban testamenti i Ozzy Osbourne? Përfiton edhe “trashëgimtarja surprizë”

31/07/2025 18:19

Flokë të gjatë ngjyrë kafe, një vello e zezë dhe një elegancë e heshtur, por mbresëlënëse. Kështu u shfaq sërish në publik Aimee Osbourne, vajza e madhe e Ozzy-t, gjatë funeralit të të atit që u mbajt në Birmingham, më 30 korrik.

Legjenda e Black Sabbath ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

E njohur për distancën e saj nga fama dhe mungesën në reality show-n e famshëm “The Osbournes”, Aimee nuk mund të mungonte në ceremoninë e fundit të babait të saj.

E fotografuar krah nënës Sharon, motrës Kelly dhe vëllait Jack, ajo mori pjesë në procesionin mortor që kaloi përmes rrugëve të qytetit dhe u ndal në urën simbolike kushtuar Black Sabbath. Në krah të saj ndodhej edhe Louis, djali i Ozzy-t nga martesa e tij e parë me Thelma Mayfair Riley.

Trupi i Ozzy Osbourne do të prehet në pronën familjare në Buckinghamshire, por ndërsa ceremonia mortore mbylli një kapitull, një tjetër sapo ka nisur: trashëgimia e tij.

Pasuria e këngëtarit të famshëm vlerësohet në rreth 220 milionë dollarë dhe përfshin të drejtat muzikore, prona luksoze në SHBA dhe Britani, investime të ndryshme si dhe të ardhurat nga reality show. Sharon Osbourne është caktuar si përfituesja kryesore e pasurisë dhe do të ketë kontroll të plotë mbi të deri në vdekjen e saj.

Pas saj, pasuria do të ndahet midis tre fëmijëve të çiftit: Aimee (41 vjeç), Kelly (40) dhe Jack (39). Megjithatë, trashëgimia nuk përfundon këtu: fëmijët nga martesa e parë – Jessica, Louis dhe Eliot – si dhe motrat e Ozzy-t, Gillian dhe Jean, mund të kërkojnë pjesën e tyre. Sipas burimeve të afërta me familjen, një betejë ligjore nuk përjashtohet.

Aimee, megjithëse e përjashtuar nga kamera dhe vëmendja mediatike për vite me radhë, nuk është lënë jashtë testamentit. Sipas informacioneve, ajo do të përfitojë përmes një fondi besimi, me pagesa çdo tre muaj deri në moshën 50-vjeçare, kur do të marrë shumën e plotë të trashëgimisë së saj.

Kelly do të marrë një pjesë të rezidencës historike në Hancock Park, Los Angeles, ndërsa Jack do të trashëgojë shtëpinë familjare në Kaliforni dhe një pjesë të të drejtave të botimit të veprës së Ozzy-t.

I njohur për zemrën e tij të madhe, Ozzy Osbourne kishte dhuruar rreth 190 milionë dollarë për bamirësi nga të ardhurat e turneut të tij të fundit, duke mbështetur kërkimet për Parkinsonin dhe qendrat pediatrike. Sharon, Kelly dhe Jack janë emëruar si ekzekutorë të testamentit dhe do të kujdesen për administrimin e pasurisë dhe ruajtjen e trashëgimisë së tij muzikore.

Ndërsa muzika e tij do të jetojë përherë, betejat pas vdekjes duket se sapo kanë nisur. Por ajo që nuk ndryshon është ndjenja e thellë e respektit dhe dhimbjes që lanë pas lamtumirat për një prej figurave më të dashura dhe të veçanta në historinë e muzikës rock.

Top Channel