
AC Milan ka dhuruar spektakël në miqësoren e radhës të zhvilluar në Australi, duke fituar me rezultatin e thellë 9-0 ndaj Perth Glory, në një ndeshje ku dominimi ishte absolut nga minuta e parë deri në të fundit.
Terracciano hapi serinë e golave që në minutën e 3-të, ndërsa Okafor gjeti rrjetën dy herë (23’ dhe 27’), ndjekur nga një penallti e saktë e Comotto (29’) dhe një realizim i bukur nga Chukwueze (31’), për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 5-0.
Në pjesën e dytë, trajneri Massimiliano Allegri zëvendësoi të gjithë formacionin titullar, duke dhënë hapësirë për lojtarë si Leao, Musah, Ricci, Thiaw, Fofana e Saelemaekers. Vetëm pak sekonda pas rifillimit të lojës, Leao shënoi golin e gjashtë (46’), ndërsa Ricci (58’), Musah (80’) dhe sërish Leao (85’, me kokë pas një asisti të Bartesaghi-t) plotësuan rezultatin përfundimtar 9-0.
Miqësorja gjithashtu shënoi debutimin e blerjes së re Pervis Estupiñán, i cili u vendos në krahun e majtë të mbrojtjes dhe dha sinjale pozitive përpara fillimit të sezonit.
Pas suksesit 4-2 ndaj Liverpoolit, ky triumf i thellë tregon se Milani i Allegrit është në rrugën e duhur, pavarësisht nivelit më modest të kundërshtarëve. Rossonerët po tregojnë formë në rritje, me formacionin që po pasurohet me alternativa cilësore.
Milani do të vazhdojë përgatitjet me dy sfida “angleze” kundër Leeds dhe Chelsea më 9 dhe 10 gusht, përpara se të nisë zyrtarisht sezonin me ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Barit, më 17 gusht në San Siro.
Top Channel