Vajza e Ozzy Osbourne, Kelly, i bëri homazhe babait të saj të ndjerë në mënyrën e saj të veçantë gjatë funeralit të tij në Birmingham, të mërkurën, më 30 korrik.

Këngëtarja 40-vjeçare zgjodhi të mbante syzet karakteristike vjollcë të Ozzy-t, një gjest simbolik që pasqyroi lidhjen e tyre të ngushtë.

Vokalisti legjendar i Black Sabbath, i cili u nda nga jeta javën e kaluar në moshën 76-vjeçare, u përcoll me një ceremoni madhështore në qytetin e tij të lindjes. Procesioni nisi nga Broad Street, i shoqëruar nga muzika live e bandës Bostin’ Brass, që luante këngë ikonike si Iron Man, ndërsa mijëra fansa ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së heavy metal-it.

Karroca e varrimit, e zbukuruar me lule vjollcë që formonin emrin “Ozzy”, kaloi përpara shtëpisë së tij në Lodge Road, Aston, rreth orës 12:45, përpara se të hynte në qendër të qytetit. Para muralit të tij të famshëm në Navigation Street, u mblodhën me dhjetëra njerëz për të nderuar yllin e muzikës dhe trashëgiminë e tij artistike.

Kelly Osbourne, dukshëm e emocionuar, ishte në shoqërinë e nënës së saj Sharon dhe vëllezërve e motrave Jack dhe Amy. Ata vendosën lule pranë Ura Black Sabbath, ku gjatë ditëve të mëparshme, fansat kishin lënë dhjetëra homazhe. Familjes iu bashkua edhe Louis Osbourne, djali i Ozzy-t nga martesa e tij e parë me Thelma Riley, i cili kishte veshur një kravatë vjollcë me një model kafke, si shenjë nderimi për të atin.

Secili anëtar i familjes vendosi një lule rozë të mbështjellë me letër të zezë pranë një banderole ku shkruhej: “Birmingham do të të dojë përgjithmonë.”

Në një moment të veçantë dhe emocional, Kelly dhe vëllai i saj Jack u përqafuan para luleve. Vetë Ozzy, në intervista të mëparshme, kishte treguar për lidhjen e veçantë me të bijën: “Nëse kam një fëmijë të preferuar, ajo është Kelly. Unë dhe Kelly jemi si dy pika uji.”

Kënga e tyre e përbashkët nga viti 2003, Changes, që dikur kishte zënë vendin e parë në listat britanike, këtë javë u rikthye në Top 10, duke arritur pozicionin e tetë – një dëshmi prekëse e dashurisë që publiku vijon të ketë për Ozzy-n dhe trashëgiminë e tij muzikore.

Në një intervistë për The Times në vitin 2011, Ozzy kishte ndarë dëshirën që funerali i tij të mos ishte një ceremoni zie.

“Nuk më intereson çfarë luajnë në funeralin tim – le të vënë një miks të Justin Bieber, Susan Boyle dhe ‘We Are the Diddymen’ nëse i bën të lumtur,” kishte thënë ai me humor.
“Për sa kohë që është një festë, jo mjerim. Dua disa shaka, ndoshta tingujt e dikujt që troket në arkivol, ose një video ku i kërkoj mjekut një mendim të dytë për diagnozën e ‘vdekjes’.”

Ai e kishte përmbyllur mendimin me këto fjalë: “Shumë njerëz shohin vetëm mjerim gjatë gjithë jetës së tyre. Ne, veçanërisht ata prej nesh që u bëmë yje roku, jemi shumë me fat. Kjo është arsyeja pse nuk dua që funerali im të jetë i trishtuar – dua që të jetë një mundësi për të thënë, ‘Faleminderit’.”

Top Channel