
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka njoftuar se vendi i tij planifikon të njohë shtetin e Palestinës në shtator, duke u bërë shteti i tretë nga G7 që shpall një vendim të tillë në ditët e fundit, pas Britanisë së Madhe dhe Francës.
Në një deklaratë për mediat, Carney tha se njohja do të kushtëzohet me reforma demokratike nga Autoriteti Palestinez, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja vitin e ardhshëm dhe përjashtimin e Hamasit nga procesi zgjedhor.
“Po shohim një përkeqësim të thellë të situatës humanitare në Gaza dhe një zgjerim të paligjshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor. Perspektiva për një shtet palestinez po gërryhet përpara syve tanë,” u shpreh kryeministri kanadez.
Sipas tij, Kanadaja do ta shpallë njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Britania paralajmëroi një hap të ngjashëm, nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim dhe disa kushte të tjera, si dhe një javë pas deklaratës përkatëse të Francës.
Ministria e Jashtme e Izraelit e ka quajtur këtë vendim të Kanadasë “një shpërblim për Hamasin”, ndërsa opozita konservatore në Kanada e ka kritikuar ashpër Carney-n. “Njohja e një shteti palestinez menjëherë pas sulmeve terroriste të 7 tetorit jep një sinjal të gabuar për botën,” thuhet në reagimin e Partisë Konservatore.
Carney nënvizoi se vendimi i Kanadasë është i pavarur dhe nuk është ndikuar nga vendimet e Francës apo Britanisë, dhe se nuk ka pasur konsultime me SHBA-në për këtë çështje.
Ai shtoi se njohja do të varet nga angazhimi i Autoritetit Palestinez për të reformuar qeverisjen dhe për të çmilitarizuar territorin. Carney konfirmoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas për këtë temë.
Aktualisht, Autoriteti Palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor përmes partisë Fatah, ndërsa Gaza mbetet nën kontrollin e Hamasit. Asnjë zgjedhje nuk është mbajtur në këto territore që prej vitit 2006.
Top Channel