
Gara për mesfushorin shqiptar të Zvicrës, Ardon Jashari po arrin fundin dhe ai vetë e ka bërë të qartë se dëshira e tij është vetëm një: AC Milan.
Pavarësisht përpjekjeve të fundit nga klube të mëdha europiane si Chelsea dhe Bayer Leverkusen, lojtari 23-vjeçar i ka refuzuar, duke theksuar se kuqezinjtë janë zgjedhja e vetme dhe përfundimtare.
Sipas gazetës italiane La Gazzetta dello Sport, Milani ka vendosur një ultimatum të brendshëm për mbylljen e çështjes së transferimit, ndërsa marrëdhëniet me Club Brugge – klubi aktual i Jasharit – mbeten të tensionuara dhe pa përparim në ofertë.
Ndërkohë, gazetari i njohur Sacha Tavolieri nga Sky Sport Switzerland ka zbuluar: “Ditët e fundit, Chelsea dhe Bayer Leverkusen tentuan të bëjnë lëvizje për Ardon Jasharin. Chelsea po përgatit një ofertë për Club Brugge, ndërsa Bayer e shihte si zëvendësues të Granit Xhakës. Por përgjigjja e Jasharit ishte e prerë: ‘Zgjedhja ime e vetme dhe përfundimtare është… AC Milan!’”.
Kujtojmë se më herët, Jashari ka refuzuar edhe klube si Nottingham Forest dhe Borussia Dortmund, duke treguar vendosmërinë për të luajtur me klubin që ka dashur prej fëmijërisë.
Megjithatë, çdo ditë që kalon e bën gjithnjë e më të vështirë realizimin e ëndrrës së tij. Milani nuk duket i gatshëm të përmirësojë ofertën aktuale, dhe nëse nuk ndryshon diçka në ditët në vijim, transferimi mund të dështojë.
Top Channel