
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, doli me një deklaratë të hapur kundër draftit të ri ligjor të propozuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
“Së pari duhet të kishim vendosur binarët ku do të ecte drafti dje do e bënte dhe më të lehtë debatin. Në momentin që po kalon sistemin i drejtësisë aplikimi i një kodi të ri penal do të thotë rivlerësim të secilës çështje në hetim apo gjykim në prizmin e kodit të ri. Drafti është kompleks dhe vetëm njohja do kërkonte mjaft kohë. Ne nuk kemi pasur një përfaqësues në grupin e punës dhe reagimi ynë vjen vetëm pasi na është bërë i njohur produkti përfundimtar”, tha kryeprokurori një ditë më parë.
I pari i institucionit të Prokurorisë nuk mori pjesë as në takimin e hapur për të diskutuar në lidhje me draftin, pasi sipas tij nuk ishte njohur paraprakisht me ndryshimet.
Top Channel ka siguruar dy shkresa në të cilat konfirmohet pjesëmarrja e Prokurorisë në diskutimet për draftin e ri ligjor me anë të burimeve të ndryshme pranë grupit të punës. E para është e datës 2 shkurt ku Prokuroria e Përgjithshme konfirmon pjesëmarrjen në diskutimin e draftit të ri ligjor. Madje, personi i përzgjedhur është Kujtim Luli. Ky i fundit mban pozicionin e shefit të sektorit të Koordinimit, Studimeve dhe Integrimit.
Rreth një muaj më vonë, Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë dhe propozimet e tyre zyrtare në lidhje me këtë draft. Ata janë shprehur nëpërmjet prokurorit Kujtim Luli për nenet 34-39 të draftit ligjor.
Top Channel