
Në veriun e Francës, një kalë i quajtur Peyo, i njohur edhe si “Doktor Peyo”, është bërë i domosdoshëm për pacientët me kancer në kujdes intensiv.
Fillimisht i trajnuar për shfaqje hipizmi, Peyo filloi të shfaqte një ndjeshmëri të pazakontë, pas performancave, ai instinktivisht i afrohej personave që ishin të sëmurë. Kujdestari i tij, Hassen Bouchakour, e dalloi dhuntinë e jashtëzakonshme të Peyo-s dhe la karrierën e tij në industrinë e argëtimit për të mbështetur misionin e ri të kalit.
Që nga viti 2016, Peyo viziton pothuajse çdo ditë Spitalin në Calais, duke punuar me organizatën terapeutike “Les Sabots du Coeur”.
Ai tregon se cilët pacientë kanë nevojë për ngushëllim duke ndaluar te dyert e tyre dhe duke ngritur njërën këmbë. Bouchakour e përgatit me kujdes për vizitat në spital, duke e dezinfektuar plotësisht dhe duke monitoruar nevojat e tij fiziologjike me sinjale të veçanta që kali është trajnuar t’i japë.
Prania e Peyo-s ka sjellë paqe dhe madje ka reduktuar dhimbjet për shumë pacientë në gjendje terminale. Në disa raste, vizitat e tij kanë zëvendësuar nevojën për medikamente të forta. Deri më sot, ai ka ngushëlluar mbi 1,000 pacientë deri në momentet e tyre të fundit, duke ofruar shoqëri jo vetëm për të sëmurët, por edhe për familjet dhe kujdestarët e tyre. Për Bouchakour, Peyo është më shumë se një partner, ai është një shok jete dhe simbol i dhembshurisë.
Top Channel