Conor McGregor humb përfundimisht apelin, gjykata konfirmon vendimin për sulm seksual ndaj Nikita Hand

31/07/2025 17:41

Ish-kampioni i UFC, Conor McGregor, ka humbur apelin e tij në Gjykatën e Apelit në Dublin, ku kishte kundërshtuar vendimin e një jurie civile që e gjeti fajtor për sulm seksual ndaj Nikita Hand, një ngjarje që ajo pretendon se ndodhi në një hotel në Dublin në vitin 2018.

Në nëntor të vitit të kaluar, McGregor u urdhërua të paguante 206 mijë paund në formë dëmshpërblimi ndaj Hand, plus kostot gjyqësore.

Ai e apeloi vendimin me pretendimin se përgjigjet e tij gjatë intervistave me policinë nuk duhej të ishin paraqitur para jurisë dhe se pyetja drejtuar jurisë në “fletën e çështjes” ishte formuluar në mënyrë të paqartë.

Megjithatë, tre gjyqtarë të lartë e hodhën poshtë apelin në të gjitha pikat, duke theksuar se nuk kishte rrezik real për një gjykim të padrejtë dhe se juria nuk mund të ishte ngatërruar nga formulimi i pyetjes. McGregor nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë vendimit, ndërsa Nikita Hand mori pjesë së bashku me mbështetës të saj.

Gjatë procesit fillestar, u dëgjua se McGregor kishte dhënë rreth 100 përgjigje “pa koment” gjatë intervistave me policinë irlandeze. Ekipi i tij ligjor pretendoi se kjo linte hapësirë për interpretime të padrejta nga juria, por gjykata e Apelit theksoi se një kërkesë për të shkarkuar jurinë nuk ishte bërë asnjëherë në atë fazë.

Po ashtu, gjykata kritikoi faktin që një pjesë e rëndësishme e apelit – që lidhej me provat e reja të mundshme për origjinën e dëmtimeve në trupin e zonjës Hand – u tërhoq papritur nga avokatët e McGregor, duke e quajtur këtë veprim “misterioz”.

Apeli u rrëzua në tërësi dhe McGregor do të duhet të përballojë kostot e vendimit. Një mik i tij, James Lawrence, gjithashtu humbi apelin për kostot, edhe pse nuk u gjet fajtor për sulm ndaj Hand.

Jashtë gjykatës, Nikita Hand deklaroi: “Ky apel më ka rihapur plagët herë pas here. Ka qenë një periudhë e dhimbshme për mua, por sot mund të nis më në fund procesin e shërimit.”

Ajo u bëri thirrje të gjithë viktimave të dhunës seksuale që të mos heshtin dhe të kërkojnë drejtësi.

 

Top Channel