“Si ‘Gasolina’, por popullorçe…”/ Ermal Fejzullahu tregon për herë të parë si lindi kënga “Kcejna mbi tavolina”

30/07/2025 14:55

E ftuar në episodin e radhës në podcastin “Flet” me Ilnisa Agollin në Top Channel dhe Top Albania Radio ka qenë Ermal Fejzullahu, një nga këngëtarët dhe artistët me të njohur në Shqipëri dhe Kosovë.

Ai ka fituar një vend të veçantë në muzikën shqiptare falë stilit të tij të veçantë dhe këngëve të paharrueshme që nga pjesëmarrja në Top Fest e deri më sot. Në këtë intervistë ai foli më shumë për fëmijërinë, familjen por edhe për marrëdhënien e ngushtë me babain e tij…

A ke emocione kur ngjitesh në skenë?

E marr me emocion gjithmonë dhe, unë mendoj se skena duhet marrë me emocion, gjithmonë. Mendoj se një artist që nuk e merr skenën me emocion, nuk është artist. Nuk jam shumë romantik, janë këngët ato që më kanë nxjerrë romantik.

Ermali ndau me publikun një histori të veçantë lidhur me një ndër këngët e tij më të famshme, “Për një dashuri”:

Mund të të them një të bukur me këngën “Për një dashuri”. Kam qenë duke e performuar një ditë këtë këngën, duke e kënduar dhe përjetuar. M’u shfaq ai Ermali që ka qenë 16 vjeç, 70 kile dhe lëvizjet ishin njësoj, vetëm kur hap sytë edhe shoh që aty ishte një pasqyrë, në ato momente pashë një Ermal tjetër trefish sa ai atëherë (qesh).

Nga gjithë ato baladat e tua, si erdhi kënga “Kcejna mbi tavolina”?

Ishte koha. Unë gjithmonë kam eksploruar, gjithmonë kam dashur diçka ndryshe. Asnjë këngë e imja nuk ngjan me tjetrën. Gjithmonë kam dashur të provoj veten në larmi tjetër. Ishim në club me Lumi B në Ulqin dhe doli kënga “Gasolina” dhe ne ishim pak ‘offline’. Dhe aty tha Lumi që këtë këngë ta bëjmë shqip dhe unë i thashë që duhet ta këndojmë pak më popullorçe. Të nesërmen e harruam. Pas tre muajsh ishim në dasmën e Norës dhe Robertit dhe filloi të luante DJ këngën “Gasolina” dhe ia bëj me shenjë Lumit. Aty ishte dhe Big Bang që na bën këngët ne, është i jashtëzakonshëm, një prej aseteve të muzikës moderne që kemi. Ia kënduam shqip tek veshi dhe ai e mbajti mend. Na thirri pas dy ditësh dhe na tha që është gati.

Do të presim diçka të re nga ty këtë vit?

Kam disa projekte të reja, por dua të gjej kohën se kur t’i publikoj.

Top Channel